Mbijeton Qeveria e Merkelit
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje, pas disa orësh bisedime me kancelaren Angela Merkel.
Ai ka thëën se dy partitë konservatore në koalicionin qeverisës janë pajtuar se si të parandalojnë migrimin e paligjshëm përgjatë kufirit me Austrinë.
Seehofer më herët kërcënoi se do të largohet, por tha se është rënë dakord për kontrolle më të rrepta kufitare.
Po ashtu, Merkeli ka thënë se është gjetur një kompromis i mirë.
Seehofer udhëheq Bashkimin Kristian Social, partinë simotër bavareze të demokristianëve të Merkelit.
Seehofer ka kërkuar të drejtën për t’i kthyer prapa emigrantët e paligjshëm në kufirin e Bavarisë, por Merkel e ka mbrojtur një marrëveshje të arritur me Bashkimin Evropian.
Javën e kaluar, BE-ja u pajtua për ngritjen e të ashtuquajturave qendra tranziti, nga të cilat njerëzit që kanë kërkuar azil në një vend tjetër të BE-së, mund të kthehen prapa në pikën e tyre të mbërritjes, nëse shteti tjetër pajtohet.