Mbillen fidane në ‘Lagjen 028’ në Fushë Kosovë

22 prill 2019 | 13:38

Dhjetëra fidanë janë mbjell në ‘Lagjen 028’ në Fushë Kosovë nga vullnetarët e Let’s Do It.

Fidanet e mbjella ishin dhuratë e rrjetit “Kosovo CRS”, të cilët ndër të tjerash iu bashkuan aksionit, në të cilin kontribuoi edhe komuniteti që jeton aty.

Nga një deponi e madhe e mbeturinave, e njëjta hapësirë publike tani u shndërrua në hapësirë të gjelbër, e cila mund të shfrytëzohet nga i gjithë komuniteti që jeton në atë lagje.

Këtij aktiviteti i parapriu një aksion disaditor pastrimi në këtë lagje, i cili nisi në Ditën Ndërkombëtare të Komunitetit Rom.

Nga aty u larguan dhjetëra kamionë me bërllok nga Kompania “Pastrimi”.
Mbeturinat e larguara u pranuan pa pagesë nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë.

Ky aktivitet disaditor pati për qëllim pastrimin e hapësirave publike në një lagje të banuar, si dhe ngritjen e vetëdijes së Komunitetit për rëndësinë e mirëmbajtjes së hapësirave publike, afër të cilave jetojnë.

Let’s Do It sërish bëri thirrje që këto hapësira të mirëmbahen nga të gjithë dhe assesi të mos lejohet që ato të rikthehen në gjendjen e mëparshme.

Po ashtu, Let’ Do It kërkon përgjegjësi dhe punë më të madhe edhe nga komuna e Fushë Kosovës për mirëmbajtjen e këtyre lagjeve, ku jetojnë komunitetet pakicë.

Edhe aktiviteti i sotëm në Fushë Kosovë ishte pjesë e aktiviteteve që po organizohen nga Let’s Do It në kuadër të Javës së Tokës,

Javën e Tokës, Let’s Do It e ka filluar në komunën e Skenderajt më 19 prill, ku u organizua një aksion pastrimi si dhe u mbollën dhjetëra fidane.

Aktivitetet e Javës së Tokës do të përmbyllen më 27 prill në fshatin Drenoc të komunës së Deçanit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja Era Istrefi përflitet se është në një lidhje me…