Mbipesha tejkalon duhanpirjen si shkaktare e disa llojeve të kancerit
Një studim në Britaninë e Madhe tregon se trashja shkakton më shumë raste me katër lloje të kancerit, sesa duhanpirja.
Qendra për Hulumtimin e Kancerit ka bërë me dije se kanceret në zorrë, veshkë, vezore dhe mëlçi kanë më shumë gjasa të shkaktohen nga mbipesha sesa pirja e duhanit, raporton “Rel”.
Sipas saj, miliona njerëz janë në rrezik nga kanceri për shkak të peshës, megjithëse theksohet se të qenët mbipeshë nuk do të thotë se personi do të sëmurët gjithsesi nga kanceri.
Rreth një e treta e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar thuhet se janë mbipeshë.
“Pirja e duhanit mbetet shkaktari kryesor i parandalueshëm i kancerit në përgjithësi. Trashja renditet e dyta”, ka thënë Qendra për Hulumtimin e Kancerit.
Lidhja midis mbipeshës dhe kancerit ekziston vetëm te të rriturit, edhe pse pesha e shëndetshme është e rëndësishme edhe për fëmijët, thonë ekspertët.
Linda Bauld, eksperte pranë Qendrës për Hulumtimin e Kancerit në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se Qeveria duhet të bëjë më shumë për të trajtuar problemin e mbipeshës në këtë vend.
Qeveria ka qenë e ngadalshme në kufizimin e reklamave për ushqim dhe pije të pashëndetshme, ka thënë Shoqata Britanike Mjekësore.