Mbjellja e misrit

11 prill 2020 | 16:48

Shkruan: Prof. dr. Imer RUSINOVCI, Fakulteti i Bujqësisë, Prishtinë

Gabimet që mund t’i bëjmë gjatë mbjelljes së misrit, nuk mund të korrigjohen me asnjë masë tjetër agroteknike. Mbjellja e misrit gjithmonë varet vetëm nga vendimet e prodhuesve.
Krahas zbatimit të plotë të masave mbrojtëse që rekomandojnë institucionet shëndetësore dhe të vetëdijshëm se gjendemi në periudhë të pandemisë së Coronavirusit, me interes të veçantë për fermerë vendor është zgjedhja e hibrideve të misrit për mbjellje, varësisht nga destinacioni kultivues (për kokërr apo për silazh).
Sipërfaqet e mbjella me misër i radhisin në grupin e kulturave lavertare dominuese të përmasave të mëdha kultivuese në nivel vendi, menjëherë pas sipërfaqeve kultivuese të grurit. Në Kosovë, tregu ofron farëra të ndryshme hibride, andaj fermerët mund të bëjnë zgjedhje për mbjelljet e misrit. Fermerët komercialë që mbjellin sipërfaqe të mëdha me misër, mund të mbjellin disa hibride dhe asnjëherë mos ta mbjellin një hibrid të vetëm. Para së gjithash, fermerët janë të lirë të zgjedhin hibridet me të cilat kanë arritur rezultate të mira. Meqë në vitet e fundit po mbretëron ariditet (thatësi) në raport me vitet paraprake, fermerët nuk duhet të përqendrohen shumë në mbjelljen e hibrideve shumë të vonshme.
Afati i mbjelljes së misrit, rëndomë përkon me arritjen e temperaturës 8-10 oC në thellësinë e shtresës së mbjelljes. Pra, temperatura prej 8oC është minimumi biologjik, që do të thotë se kokrrat e misrit nën këtë temperaturë nuk do të mbijnë. Andaj, fermerët nuk duhet të lidhen me data kalendarike, porse me konditat e motit në mënyrë që kur ato i lejojnë, të fillojnë me mbjelljet e misrit. Gjithmonë të parat mbillen hibridet e grupeve të vonshme (pasi periudha vegjetative e tyre është më e gjatë), pra fillimisht mbillen grupet e hibrideve të FAO-së 600, pastaj ato 500 dhe më pas 400, 300, 200 dhe 100.
Nëse lejojnë kushtet, fermerët komercialë (që mbjellin sipërfaqe të mëdha me misër) duhet të përpiqen t’i mbjellin 15-20% të sipërfaqeve deri në fund të dekadës së parë të prillit, ndërsa sipërfaqet më të mëdha t’i mbjellin në periudhën 15 – 25 prill.
Në çka të fokusohen fermerët
Para së gjithash, është e nevojshme të dihen rezervat e reshjeve të dimrit. Analiza e tokës për përmbajtjen nitratit të azotit (7-10 ditë para mbjelljes së misrit). Sasia dhe aranzhimi i nitratit të azotit për nga thellësia e profilit, së bashku me reshjet e dimrit, diktojnë se si do të plehërojmë para mbjelljes dhe në cilat dendësi do të mbjellim. Nëse sasia e reshjeve të dimrit është e favorshme, do të thotë që këto sasi janë rreth mesatares shumëvjeçare dhe nëse shpërndarja e nitratit të azotit për nga thellësia e profilit është e favorshme (që do të thotë se sasitë maksimale të nitratit të azotit janë në shtresën 30 – 60 dhe 60 – 90 cm), atëherë plehërojmë sipas mënyrës që kemi planifikuar për atë ngastër dhe për rendimentin e planifikuar.
Densitetit i mbjelljes së misrit, varet nga dendësia që kërkon hibridi për rajonin e caktuar agro-ekologjik. Nëse njëri prej këtyre dy parametrave nuk është i favorshëm, pra më pak reshje, ose nëse shpërndarja e nitratit të azotit është e parregullt, atëherë plehërimi duhet të zvogëlohet dhe dendësia e mbjelljes duhet të zvogëlohet. Andaj nëse të dy ëto janë të disfavorshme, zvogëloni dendësinë e mbjelljes për 15-20 %.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjekët dhe infermierët janë padyshim heronjtë e pandemisë COVID-19, duke…