Mbledhja e qeverive Kosovë-Maqedoni e Veriut pritet të mbahet gjatë verës
Mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut pritet të mbahet këtë verë. Për këtë mbledhje po kërkohet që të ketë përgatitje të mirë dhe agjendë të qartë nga ana e dy qeverive.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, ka thënë se përmes kësaj mbledhjeje duhet të dëshmohet bashkëpunimi rajonal.
Bytyqi në një intervistë për “KosovaPress” ka theksuar përkrahjen e Maqedonisë së Veriut për dialogun Kosovë-Serbi, duke respektuar interesat e të dy palëve. Duke folur për ballafaqimin me pandeminë, ai thotë se bashkëpunimi rajonal është kyç për rimëkëmbjen ekonomike.
“Është e rëndësishme që mbledhja e dy qeverive të përgatitet mirë, me një agjendë shumë të qartë dhe me rezultate konkrete, sepse në fakt ajo çfarë unë pres është që edhe njëherë të tregojmë që bashkëpunimi rajonal është kyç, jo vetëm për të operuar por që në periudhën post-Covid bashkëpunimi rajonal do të jetë kryesor për rimëkëmbjen ekonomike të vendeve në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht vendeve që janë fqinje. Prandaj, mendoj se shumë shpejt, duke u intensifikuar parapërgatitjet, do të kemi mundësinë, nëse arrihet të mbahet mbledhja e përbashkët gjatë periudhës së verës do të ishte shumë mirë. Mendoj se duhet t’i paraprijmë sfidave që na presin në periudhën post-Covid”, ka deklaruar Bytyqi.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ai kujton sakrificën e Maqedonisë për të ndërruar emrin, gjë që sipas tij, dëshmon se vetëm me bisedime mund të zgjidhen problemet.