Mbledhja e qeverive, Rama: Ambicia jonë, ‘heqja’ e kufirit Shqipëri-Kosovë
Delegacioni i qeverisë së Kosovës ka mbërritur në Shqipëri. Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministrat e tij janë pritur nga delegacioni i qeverisë shqiptare në një ceremoni zyrtare.
Pas ceremonisë së pritjes e cila është zhvilluar në oborrin e Pallatit të Kongreseve, dy qeveritë ajo e Kosovës dhe Shqipërisë janë ulur në një tryezë të përbashkët.
Pjesë e fjalimit të Ramës në mbledhjen e dy qeverive:
EDI RAMA: Është kënaqësi e posaçme që pavarësisht këtij momenti kaq të vështirë që po kalojmë ne dhe mbarë bota, kufizimi i kontakteve dhe kushtet për takime të afërta janë shumë të kufizuara, arrijmë që ta organizojmë së bashku këtë takim të 6-të ndërqeveritar Shqipëri-Kosovë këtu në Tiranë, pikërisht në 100-vjetorin e kryeqytetit.
Përpara se të vinim këtu kemi pasur një bisedë miqësore me kryeministrin dhe kemi rënë dakord që të investohemi së bashku për të çuar përpara një projekt të përbashkët duke filluar sa më parë nga puna për 150-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, i cili është ende larg në kohë por jo aq larg për të mos menduar qysh sot për një projekt të përbashkët rikualifikimi urban tërësor të qytetit historik të Shqiptarisë.
Ambicia jonë është “heqja” e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Besoj që është e rëndësishme që Ministritë e Brendshme të të dyja shteteve të intensifikojnë punën për të mundësuar kontrollin në kohë reale të pikave kufitare, gjë që do të na mundësonte hapjen përfundimtare të kufirit pa humbuar asnjë centimetër në frontin e betejës kundër aktiviteteve të paligjshme dhe kundër çdo forme abuzimi me lirinë e lëvizjes.
Porti i Durrësit të kthehet në një port strategjik. Ambicia jonë nuk duhet të ndalet vetëm në një stacion. Me këtë marrëveshje do të mundësojmë ligjërisht edhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta. Një port të përbashkët në Durrës të Shqipërisë dhe të Kosovës në funksion të gjithë rajonit. Së shpejti ne nisim pas një odiseje të gjatë ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ky hap tjetër besoj që shkon në drejtimin e duhur ashtu sikundër shkon në drejtimin e duhur edhe angazhimi për të zhvilluar korridorin digjital Prishtinë-Tiranë mbështetur në teknologjinë 5G.
Dua të rikonfirmoj qëndrimin e qeverisë tonë që vendet e rajonit tonë duhet të shohin perspektivën e një zhvillimi të teknologjisë 5G të bazuar në një rrjet të sigurt në çdo aspekt dhe sigurisht duhet të synojnë alternativën e duhur të ofertës që ekziston sot dhe që përsa na takon si Shqipëri, është një ofertë e dyshimtë.
Mësohet se mbledhje do të nënshkruhen 15 marrëveshje bashkëpunimi, të cilat afrojnë më shumë vendet me njëra-tjetrën. Ndërkohë në tavolinën që do bëhen diskutimet është vendosur mbishkrimi ‘Bashkë pa kufij. Në një rajon pa kufij’./tvklan.al/