Mbledhja Kosovë-Maqedoni e Veriut, Kurti: S’kemi mosmarrëveshje, jemi fqinj, miq dhe partnerë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fjalën e tij në mbledhjen e qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, e ka nisur duke sqaruar se këto dy shtete nuk kanë mosmarrëveshje mes vete.
Ai ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë fqinj, miq dhe partnerë të lidhur.
“Së pari po e nisi me një pikë të rëndësishme, Kosova dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë mosmarrëveshje, kemi komunikim të hapur dhe bashkëpunim të gjerë. Ne jemi fqinj, miq dhe partnerë të lidhur jo vetëm përmes tregtisë që është çdo herë në rritje por edhe përmes lidhjeve, familjeve e bizneseve tona që po forcohen përherë e më shumë”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka theksuar rëndësinë simbolike të takimit që po mbahet sot, pasi tha se përkon me 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.
“Gjatë këtyre viteve janë nënshkruar 50 marrëveshje dhe memorandume që na ofruan më shumë me njëri-tjetrin, dhe rëndësi ka zbatimi i tyre i plotë dhe i përpiktë”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, Kurti ka shprehur kënaqësinë dhe nderin që në Prishtinë ka mirëpritur homologun maqedonas, Hristijan Mickoski dhe delegacionin e tij për takimin e dytë.