Mblidhet Komisioni për Buxhet, synon kalimin e Projektligjit për Rimëkëmbje
Komisioni për Buxhet dhe Transfere sot pritet ta votojë raportin me rekomandimet për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia Covid-19.
Po ky komision do ta shqyrtojë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021.
Në fillim të muajit nëntor kishte dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ku ishte paraparë të hidhet në votim për lexim të dytë ky projektligj. Seanca kishte dështuar në mungesë të kuorumit.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kishte votuar në lexim të parë këtë projektligj.
Nëse projektligji siguron votat e nevojshme edhe në lexim të dytë, kryetarja e Kuvendit e nënshkruan dhe e dërgon te presidenti për shpallje. Ndërkaq, presidenti ka afat tetë ditë për ta shpallur ose për ta kthyer atë për rishqyrtim në Kuvend.
Në dispozitat e këtij projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia Covid-19. Ky do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Me anë të këtij projektligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë eurosh.