MBRESA NGA LEXIMI I NJË LIBRI
Mr. Shefki Stublla
(“Mbresa nga Stambolli dhe Bursa” (udhëtim studimor me studentë), Libri Shkollor, Prishtinë, 2018, të autorëve bashkëshortë: prof. dr. Tefik Basha & prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha)
Kjo vepër i kushtohet një udhëtimi studimor me studentët e Fakultetit të Edukimit në Gjilan e Prishtinë, në krye me prof. dr. Tefik Basha (gjeografi) dhe prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha (historiane). Qëllimi i vizitës ishte: njohja e studentëve me gjeografinë dhe historinë, fusha këto shumëfish të lidhura me trojet dhe me popullatën shqiptare.
Pas leximit të këtij libri studimor ndjeva një kënaqësi dhe nderim të veçantë, kur bashkëshortët Basha, këtë udhëtim, me këtë libër e bënë që të mos harrohet takimi njerëzor e prindëror me shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga Kosova në Turqi, para e mbas LDB-së.
Kam përshtypjen se ky libër do të lexohet me ëndje jo vetëm nga studentët, protagonistët e këtij udhëtimi, por edhe nga të tjerët. Kjo trajtë e rrëfimit është “vek për yrnek”, siç do të thoshte Mehmet Halimi.
Personalisht më pëlqeu thurja e këtij teksti interesant me shembuj konkretë në këtë ditar udhëtimi në një vend të huaj, sidomos kënaq qasja pedagogjike e profesorëve – edukatorëve Basha, si model bashkëpunimi me studentë, të cilët në çdo çast konsiderohen si partnerë.
Tregimi nga kjo rrugë, ky ditar udhëtimi, edhe mua më bëri për vete. Sikur edhe unë isha student dhe udhëtoja për Turqi. Sidomos më pëlqeu motivi i inspiruar nga shkrimtari i njohur hebre, Amos Oz, për të shkruar këtë libër.
Ky libër, që nga hyrja e deri në mbarim, afron dhe josh lexuesin, e informon atë për shumë ngjarje që i ndodhën popullit tonë gjatë historisë dhe mbijetesës së tij nga shumë okupatorë.
Ky libër mund të merret ose të konsiderohet edhe si ciceron turistik për ata që vizitojnë Stambollin dhe Bursën në Turqi. Po ashtu, edhe si libër gjeografie dhe historie për këto dy qytetet. Është libër që freskon mendjen. Nga ky lexuesi nxjerr shumë mësime.
Më la përshtypje përshkrimi i qytetit Bursa, të cilin e kam vizituar edhe unë dikur, por pas njohjes me të rejat që më ofroi libri u kënaqa edhe më shumë: se ky ishte kryeqyteti i parë i shtetit osman, i pasur me shumë monumente kulture dhe arkitekture, sidomos ura Ingardi, me dyqane dhe me Jeshil Xhaminë.
Një mrekulli tjetër e këtij libri është takimi me shqiptarët e vendosur në Bursa si muhaxhirë të ndjekur me dhunë nga trojet e veta të Kosovës. Sidomos fakti kur këta ende e flasin gjuhën e nënës – shqip, sidomos kur ata dëshmojnë se janë shqiptarë. Po ashtu, më preku shumë rrëfimi i tyre në gjuhën shqipe, sidomos rrëfimi i Selimit, nga fshati Laçiq i Dardanës (ish-Kamenica) dhe shumë gjëra të tjera me këtë temë të dhimbshme dhe të ndjeshme.
Ky udhëtim juaji, përveç njohurive nga gjeografia dhe nga historia, është një punë e vlefshme bërë atyre shqiptarëve nga Kosova, të vendosur atje pa dëshirë, prej të cilëve ka ende që nën jastëk mbajnë një grusht dhe nga atdheu dhe të vetmet ëndrra që shohin janë për vendlindjen e tyre.
Po ashtu u gëzova shumë kur lexova se nga shqiptarët e vendosur atje ka shumë talent në fushën e kulturës dhe të artit. Dhe në fushat tjera të jetës. Madje, që Grupi i valltarëve shqiptarë nga Bursa,që shfaqen program për studentet nga në akademinë ushtarake studentët shqiptarë pranohen pa provim pranues.
Më preku shumë takimi me valltarin e mirënjohur në Turqi – Hakiut, me dajën e tij nga Karaqeva. Ose takimi me kryetarin e rinisë së partisë AK, që ishte me origjinë nga Doberçani, që enkas për studentët e Gjilanit ishte kthyer nga një udhëtim zyrtar vetëm të takohej me anasit e vet. E dhembshme ishte kur ai nuk dinte të fliste shqip, ama këngën “Oj Kosovë, oj nëna ime…” e këndoi duke qarë.