Mbretëria e Bashkuar autorizon përdorimin e remdesivirit kundër koronavirusit
Ilaçi i quajtur, remdesivir, që besohet se zvogëlon kohën e shërimit të pacientëve nga koronavirusi, është miratuar për përdorim nga Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në Mbretërinë e Bashkuar.
Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock ka thënë se ky trajtim mund të përbëjë hapin më të madh në rrugën e trajtimit të koronavirusit, prej ditëve të para të shpërthimit.
Remdesivir është ilaç anti-viral, që është përdorur kundër Ebolas.
Rregullatorët britanikë kanë thënë se ka mjaftueshëm të dhëna që tregojnë se ky ilaç mund të përdoret në pacientë të caktuar, të cilët janë të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton ky virus.
Për shkak të rezervave të vogla me këtë ilaç do të trajtohen vetëm ata që besohet se mund të përfitojnë më së shumti.
Përveç Britanisë, ky ilaç është duke u testuar në shumë vende në botë, transmeton Rel.
Të dhënat fillestare kanë treguar se remdesivir zvogëlon për katër ditë periudhën e shërimit, ndonëse ende nuk ka prova se ai mund të shpëtojë më shumë jetë njerëzish.