Mbretëria e Bashkuar ndër mbështetësit kryesor në procesin e tranzicionit të FSK-së
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka pritur të martën në takim këshilltarin e Transformimit të Mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor, gjeneral brigade Johnny Bowron.
Në takim, ministri Quni e njoftoi brigadierin Bowron me zhvillimet në Ministrin e Mbrojtjes dhe FSK-në, të arriturat gjatë procesit aktual të tranzicionit dhe sfidat e shfaqura gjatë krizë aktuale të pandemisë Covid-19.
Ai, ndër të tjera ka shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit, qeverisë dhe Forcave të Armatosura Britanike në ndërtimin dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit tonë, vet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Në takimin e radhës me brigadierin Bowron, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka theksuar se partneriteti me Forcat e Armatosura Britanike do të vazhdojë të jetë i fuqishëm në perspektivën tonë zhvillimore për të arritur aftësitë, kapacitetet dhe standardet më të larta operacionale.
Nga ana e tij, brigadieri Bowron ka shprehur vlerësimin e lartë për strategjinë e tranzicionit të MM/FSK-së si dhe të arriturat e deritashme duke shprehur mbështetjen nga autoriteti zyrtar dhe eksperienca e tij për këtë proces edhe në të ardhmen.
Ministri Quni gjatë takimit shoqërohej nga këshilltari i tij ushtarak, kolonel Hamdi Pollomi dhe drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha.