Mbreti i Jordanisë anulon vizitën në Rumani për shkak të Jerusalemit
Mbreti Abdullah i Jordanisë ka anuluar vizitën në Rumani, në shenjë proteste ndaj planeve të kryeministres Viorica Dancila për të zhvendosur ambasadën e vendit të saj nga Tel Avivi në Jerusalem.
Pallati Mbretëror i Jordanisë ka theksuar se vendimi për të anuluar vizitën e paraparë për 25 mars është marrë në shenjë solidariteti me Jerusalemin.
Ka qenë e paraparë që mbreti Abdullah të takonte presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis, dhe udhëheqësit parlamentarë, si dhe të nënshkruante një numër marrëveshjesh për bashkëpunim.
Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara e kanë njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit dhe e kanë zhvendosur ambasadën e tyre atje nga Tel Avivi, duke shkaktuar kritika ndërkombëtare dhe zemërim te palestinezët, raporton “Rel”
Palestinezët e duan Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.
Izraeli e ka aneksuar Jerusalemin Lindor dhe e ka shpallur gjithë qytetin kryeqytet të tij, por ky veprim nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.
Gjatë vizitës në Uashington më 24 mars, Dancila ka thënë se Rumania do ta zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem dhe e quajti atë “kryeqytet të shtetit të Izraelit”.