Mbreti i testimeve

15 prill 2020 | 09:05

Njihuni me Chun Jong-Yoon, CEO i Seegene, kompania lider për prodhimin e testeve të Covid-19.

Lajmi për një grup të infektuarish me koronavirus në Wuhan arriti për herë të parë në Korenë e Jugut më 31 dhjetor 2019. Shefi ekzekutiv i Seegene, Chun Jong-Yoon, 63 vjeç, tashmë po parashikonte më të keqen: rreziku i një shpërthimi global ishte i lartë.

Chun menjëherë ndaloi të gjitha punët e tjera në kompaninë e tij bioteknike me qendër në Seul, Seegene, dhe urdhëroi studiuesit dhe stafin e tij që të përqëndroheshin tërësisht në prodhimin e një testi diagnostikues për Covid-19. “Zhvillimi i testit duhej të ishte shumë shumë i shpejtë. Ne duhej të ishin gati para se situata të bëhej serioze,” thotë Chun.

Në dy javë, Seegene e kishte zhvilluar testin e saj, Allplex 2019-nCoV Assay. Më 27 janar, pas rastit të parë të konfirmuar në Korenë e Jugut, Chun mori një kërkesë urgjente nga Qendra e Koresë së Jugut për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KCDC); agjensia kërkonte të dhënat për setin e testimit për shqyrtim dhe së shpejti vlerësoi se procesi i zhvillimit i Seegene përputhej plotësisht me udhëzimet e KCDC.

Më 12 shkurt, KCDC miratoi për përdorim setin e Seegene. Një proces i tillë zakonisht zgjat të paktën gjashtë muaj; autoritetet shëndetësore evropiane dhanë miratimin pesë ditë më pas. “Ishte rast urgjent prandaj ishte e rëndësishme të përgjigjeshim shpejt. Fakti që KCDC e aprovoi setin e testeve në dy javë ishte i pashembullt,” thotë Chun.

Ka qenë disponueshmëria e kompleteve të testeve të Seegene, bashkë me reagimin e shpejtë të qeverisë koreane për të bërë testime masive, që e ndihmuan Korenë e Jugut të përmbajë përhapjen e Covid-19. Një vend me 51 milion banorë, Koreja e Jugut ka regjistruar më pak se 10,000 raste infeksioni, shifër me e ulët se në Zvicër, psh që ka një popullsi 8.6 milion banorë.

Kur Forbes Korea e intervistoi Chun në mes të marsit, Seegene ishte tashmë e mbytur në porosi. Më parë kishte prodhuar 100,000 teste në javë, ndërkohë kapaciteti i saj ishte rritur në 1 milion teste. Kutitë e testeve shkojnë në 40 shtete përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë, Spanjën dhe vendet fqinje aziatike. Testi është dorëzuar edhe në SHBA dhe pret miratimin e FDA.

Me infeksione që përhapen ende në të gjithë botën, Seegene tani po përgatitet të rritë edhe më shumë prodhimin. “Tani për tani ne kemi ndaluar gjithçka tjetër dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të prodhuar komplete testimesh për Covid-19. Kërkesa nga qeveritë dhe agjensitë mjekësore ka qenë tepër i madh.

Ne mund të furnizojmë potencialisht 3 milion komplete testimi në javë. Por nëse ka ende mungesa, ne mund të sigurojmë ekspertizën [për të tjerët] për ta zhvilluar kompletin falas. Ne kemi vetëm një qëllim: Virusi nuk duhet të përhapet për shkak të mungesës së testimeve,” thotë Chun.

Seegene është e vendosur në dy ndërtesa në juglindje të Seulit. Për nga natyra, prodhimi i testeve nuk kërkon hapësira të mëdha ose makineri të shumta e voluminoze. Thelbësore është puna, kështu që Seegene e ka dyfishuar stafin e saj për të përmbushur kërkesat aktuale, duke zbatuar një sistem pune me dy turne që së shpejti planifikon ta bëjë me tre. Kompania planifikon të transferojë objektet e saj në periferi të Seulit në vitin e ardhshëm, në mënyrë që të mund të zgjerojë edhe më shumë kapacitetin e saj.

Chun ia atribuon përkushtimin e tij mjekësisë dhe zhvillimit të testeve për diagnostikimin e sëmundjeve, betejës së tij të hershme me tuberkulozin.

Ai u diagnostikua me atë sëmundje sapo mbaroi shkollën e mesme, dhe iu desh të kalonte në rehabilitim plot pesë vjet, pa mundur të ndiqte një shkollë të lartë. Pasi fitoi një diplomë të ekuivalencës së përgjithshme në arsimin e mesëm ai mundi më në fund të shkojë në Universitetin Konkuk të Seulit, ku u diplomua për agronomi.

Por ai nuk ndaloi në atë stacion. Ndoqi plotësimin e shkollimit të tij në SHBA. Pasi mori një doktoraturë në shkencat e jetës në University of Tenessi, më pas vijon me një doktoraturë nga Universiteti i Harvardit dhe Universiteti i Kalifornisë, Berkeley.

Chun kthehet në Korenë e Jugut në 1995, dhe pas përpjekjeve për hulumtimin e ADN-së, u bë profesor i biologjisë në Universitetin Eëha Ëomans të Seulit. Por në mendjen e tij jetonte plani për tu bërë sipërmarrës. “Edhe kur isha në shkollë, unë kisha menduar të filloja një biznes. Në jetë mund të bëjmë më shumë me biznes sesa me kërkime. Por për të drejtuar një biznes të suksesshëm duhet këmbëngulje,” thotë ai.

Chun e ngriti Seegene në vitin 2000 me një investim rreth 240,000 dollarë që ia huazoi xhaxhai i tij. Në tre vitet e para, Seegene kishte zero të ardhura. “Edhe pse ishte një kohë e vështirë, unë nuk ndalova duke kërkuar të bëj diçka. E dija se pot ë prodhoja diçka të jashtëzakonshme, e gjithë bota do të kthente sytë nga ne.”

Kështu Seegene zhvilloi komplete testimesh për diagnostikimin e sëmundjeve të frymëmarrjes, të tretjes, të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe të kancerit. Por kishim vetëm pak kërkesa nga spitalet lokale, kujton Chun. Por nuk do të zgjeste shumë kur Seegene më në fund ta gjente tregun e vet jashtë vendit: 82% e të ardhurave të Seegene tani vijnë nga eksportet. SHBA-ja dhe Europa janë tregjet kryesore të saj.

Chun thotë se ka udhëtuar në të gjithë botën për të demonstruar personalisht testet e Seegene dhe se beson në suksesin global të kompanisë së tij. Edhe para shpërthimit të koronavirusit, të ardhurat neto të kompanisë u shumëfishuan dhe shkuan në 105.3 milion dollarë. Aksionet e Seegene janë dyfishuar që nga janari dhe kompania tashmë ka një vlerë tregu afër 2 miliardë dollarë.

Testet e Seegene kanë një tampon të vetëm prove, ku identifikohen tre gjenet e Covid-19. Për shkak se procesi i testimit është përsosur, kërkohet vetëm një e dhjeta e kohës krahasuar me testet e tjera manuale dhe zvogëlohet rreziku i gabimit njerëzor në përcaktimin e diagnozës.

Ndërsa testet e tjera kërkojnë praninë e antitrupave, testi i Seegene përdor atë që quhet reagimi i zinxhirit polimerazë për të zbuluar virusin e pranishëm në lëngjet e trupit para se të formohen antitrupat.

Një diagnostifikimi i tillë molekular – në kontrast me imuno-diagnostikimin e vjetër – është më i shpejtë dhe më i saktë, thotë Chun. Me këtë test njerëzit e infektuar me Covid-19 mund të zbulohen edhe para se të shfaqin ndonjë simptomë të sëmundjes.

Përveç që frenon përhapjen e koronavirusit, Chun e sheh qasjen e tij në testim si një fitore për diagnostifikimin molekular. “Ka dhjetë vjet që unë synoj dhe punoj për ta bërë diagnostikimin molekular më të lehtë, më të përballueshëm dhe më të përhapur,” thotë Chun. /Forbes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjekët dhe infermierët, në përballje me virusin “Korona”, po cilësohen…