Mbreti të cilin e zgjodhën sorrat

04 gusht 2021 | 13:27

AZIZ NESIN

Na ishte se ç’na ishte. Në kohët e lashta në një shtet jetonte një i gjorë. Ishte i varfër saqë vështirë ngopte stomakun. Por, nuk ishte zemërkeq. E tërë dëshira e tij ishte t’u ndihmonte të tjerëve. Dëshironte t’u bënte mirë të tjerëve, mirëpo nuk dinte se si ta bënte. Shpeshherë thoshte sikur të më mjaftonte forca ime e të mund t’u ndihmoja të tjerëve… Ata që i dëgjonin këto e pyesnin:

– Si do t’u ndihmosh?

– Do të bëj mirësi, do t’u ndihmoj të gjithëve… Le të vijnë ato ditë dhe unë di se si do t’u ndihmoj.

Një ditë, teksa po bredhte malit, po lutej sikur t’i ndihmonte Zoti atij dhe t’i ndihmonte njerëzit. Një udhëtar që po vinte pas tij i dëgjoi fjalët e tij dhe i tha:

– Tungjatjeta djalosh!

Njeriu i cili donte t’u bënte mirë të tjerëve, kur ktheu kokën, pa një udhëtar me mjekër të bardhë gjerë te barku.

– Tungjatjeta baba!, – i tha.

– Përse flet vetë më vete?

– A po kërkon diçka nga muzgu?

Burri tregonte me tërë fuqinë se si ishte djegur nga të ndihmuarit njerëzve.

Burri me mjekër të bardhë tha: – Deri më tani shumë persona kanë dashur t’u ndihmojnë të tjerëve. Po ta dije se si bëhet kjo ndihmë nuk do të doje t’u ndihmoje njerëzve. Është më e vështirë që njerëzve t’u bësh mirë sesa t’u besh keq. Qëkur është krijuar bota kanë dalë pak persona të cilët ia kanë dalë… edhe pse i tha burri, ai nuk e dëgjoi.

– Unë nuk u ngjaj të tjerëve,- i tha. Vetëm të arrij në një vend të tillë që të gjitha të këqijat do t’i zhduk nga faqja e dheut. Nuk do të ketë të uritur as të etur. Nuk do të ketë të zhveshur e të zbathur. Nuk do të ketë përleshje, ngatërresa… Do t’i fus në rend të gjitha gjërat.

Mjekërbardhi, pasi e dëgjoi, i tha: – Ti ke shumë dëshira, por nuk di si t’i realizosh. Edhe para teje kanë kaluar shumë të tillë që kanë dashur, por nuk kanë ditur se si t’ia dalin sikur ti. Ky ia ktheu:- Çfarë ka më të lehtë sesa të bësh mirë mbi këtë tokë.

Dhe mjekroshi iu kundërpërgjigj: – Pasi që ke dëshirë kaq shumë të ndihmosh, atëherë mos qëndro këtu. Shëtit pa u ndalur. Vjen një kohë dhe një vend i tillë që ti ngrihesh aty ku do.

Personi që dëshironte të bënte mirësi, i dëgjoi vetëm fjalët e fundit të mjekërbardhit, dhe eci krye më vete.

Në çdo vend që shkoi tregoi se si është djegur për t’u ndih­muar njerëzve.

Një ditë, derisa po shëtiste pa ndalur, pasi eci një natë të tërë derisa mëngjesi po zbardhte, diku larg pa një qytet. Qyteti ishte i rrethuar me mure të kalasë. Pasi kishte gjetur derën e hyrjes në qytet, ishte drejtuar drejt saj për t’u futur brenda. Pasi që hyri brenda në qytet,u habit.

E si të mos habitej… Vendi ishte i mbushur me njerëz… Unë them se kishte njëqindmijë veta, ti thuaj treqind mijë. Nuk shihej fundi i njerëzve. Edhe vetë ishte futur në mes të turmës. Nga çdo kokë dilte një zë. Burri ua kishte vënë veshin të folurave. Thoshin kështu: – Qytetarë, unë e dëshiroj të mirën tuaj. Thoni sorrave të më bëjnë mua mbret. Sorrat le të më bëjnë mua mbret. Do ta shihni, do të bëj shumë të mira për ju. Do të rrjedhë sherbet nga lumenjtë e këtij qyteti, gurët e kalldrëmeve do të jenë prej arit. Në vend të shiut do të bëj që të bjerë shurup. Njërën dorë do ta keni në mjaltë, tjetrën në vaj. Do të bezdiseni nga të ngrënit çdo ditë të Zotit bakllavë dhe byrek. Do të jeni aq rehat saqë ajo rehati do të filloi t’ju bezdisë. Të nderuar qytetarë, thoni sorrave le të më bëjnë mua mbret.

Burri i cili kishte dëgjuar vetëm këto fjalë, ishte habitur. Kur shikoi atë që kishte pranë, kuptoi se ishte personi i njëjtë me atë mjekërbardhin me të cilin ishte takuar në mal vite më parë…

– Tungjatjeta baba, – i tha.

Mjekroshi iu përgjigj:

– Tungjatjeta bir!

Po shoh se në këtë qytet të gjithë po flasin lloj-lloj gjërash. Përse po bërtasin?, – e pyeti mjekërbardhin.

Mjekërbardhi i tregoi: – Të gjithë mendojnë se vetëm ata mund të bëjnë mirësi, por këtë mirësinë nuk dinë se si ta bëjnë, për atë… – i tha.

– Këta njerëz, çdoherë kështu bërtasin?!

– Jo. Nga zgjedhjet në zgjedhje bërtasin. Këtu bëhen zgjedhjet një herë në vit. Kur të vijë koha e zgjedhjeve, secili dëshiron që të zgjidhet vetë.

– Pse?

– Sepse secili mendon se vetëm ai mund të bëjë mirë. Secili dëshiron të bëjë mirë. Nuk ka të tillë që dëshirojnë të bëjnë keq.

– Çfarë zgjidhet këtu?

– Zgjedhet mbreti… Ky shtet nuk u ngjanë të tjerave shtete. Këtu nuk u mbetet trashëgimi mbretëria nga babai birit sikur në shtetet e tjera. Çdo vit zgjedhet një mbret i ri brenda popullit. Mbreti i cili zgjedhet, nëse i mban premtimet e dhëna para­prakisht, mbetet në fron, nëse nuk i mban, vitin tjetër bëhen zgjedhje të reja. Deri më tani nuk ka pasur mbret që ka qëndruar më shumë një vit.

– E përse atëherë brohorasin “sorra, sorra”?!

– Në këtë shtet sorrat e zgjedhin mbretin, për këtë arsye bërtasin kështu.

Qielli papritmas u ngrys, sepse e kaploi një plim sorrash. Nga plimi i sorrave dielli më nuk dukej fare.Përderisa sorrat po krrokatnin sipër njerëzve, njerëzit thoshin: Vëlla sorrë, vëlla sorrë, aman më zgjidh mua. Sorrat, kështu duke broho­ritur, në fluturim, njëra nga to që ishte më e madhe, lëshohej poshtë dhe filloi të sillej sipër kokës së burrit i cili shëtiste nëpër male e shpate për të bërë mirësi.

Fluturoi, fluturoi dhe, në fund, glasoi, pastaj përsëri u ngrit drejt qiellit.

Një e treta e njerëzve filluan të bërtasin duke i thënë burrit ti je bërë mbret, ti je bërë mbret.

Burri i cili ishte habitur me atë që po ndodhte, iu kthye mjekërbardhit që e kishte pranë: – Çfarë është kjo? Çfarë po ndodh?

– Këtu kështu bëhet zgjedhja e mbretit, – i tha.

– Nëse sorra glasojnë tri herë në kokën e dikujt, ai person zgjedhet mbret. Do të thotë që ti je bërë mbret nga një e treta. Lutu që sorra ta zgjedhë kokën tënde sërish.

Ende pa e përfunduar mirë fjalën, sorra përsëri glasoi në kokën e tij. Ata që po silleshin vërdallë bërtitën, duke thënë dy të tretat,ti je bërë mbret.

Që sorrat të glasojë edhe një herë në kokën e atij burrit, të gjithë pritnin glasimin e sorrës në kokën e vet, duke iu përgjëruar sorrave: Vëlla sorrë, vëlla sorrë këtu!

Sorra nuk i dëgjoi kërkesat dhe lutjet e tyre.

Edhe për herë të tretë zgjodhi kokën e atij burri.

Pas kësaj, burrin,që i thoshin se je zgjedhur mbret, e bartën në shpinë deri në pallat.

Burri i cili u zgjodh mbret nuk e harroi mirësinë e sorrës që i kishte bërë. Menjëherë nxori ferman për t’i larguar të gjitha kukullat frikësuese. I dërgoi në gjykatë të gjithë ata që i kanë frikësuar dhe trembur sorrat. Nuk u ndal me kaq. Urdhëroi që çdo shtëpi t’u japë një grusht ushqim atyre. Populli vetëm se kishte filluar të pëshpëriste, mirëpo syri i mbretit nuk shihte gjë tjetër përveç sorrave. Në këtë mënyrë përfunduan vitin e parë. Më pas hynë në zgjedhje të reja. Banorët e atij shteti u mblodhën në qendër të qytetit. Përsëri të gjithë filluan t’u luten sorrave për t’i zgjedhur. Përsëri që të gjithë thoshin se duan t’u ndihmojnë njerëzve. Sorrat erdhën në formë plimi. Përsëri qielli u errësua.

Zërat e tyre krrak-krrak jehuan lart qiellit. Përderisa çdo vit një sorrë zgjidhte mbretin sipër kokës të të cilit glasonte, këtë vit sipër kokës së mbretit, nga i cili kishin parë shumë mirësi, glasonin dhjetë sorra nga tri herë. Kur ai burrë përsëri u zgjodh mbret, nuk harroi mirësinë e sorrave, prandaj e bëri obliguesi të ushqehen nga njëzetë sorra në shtëpi.Iu ndërtoi fole që të mbrohen nga të ftohtit dhe nga era. Sorrat dita-ditës ishin shëndoshur dhe ishin dhjamosur. Secila sorrë ishte bërë sa një gjel deti.

Përsëri erdhi koha e zgjedhjeve. Populli, i cili fare nuk e donte mbretin e vjetër, po pëshpëriste vazhdimisht por, e kotë. Edhe në këto zgjedhje njëqind sorra sa gjeli i detit kishin pëlqyer përsëri kokën e mbretit të vjetër për të glasuar nga tri herë.

Personi i cili u bë mbret për herën e tretë tha: – Do të pastrohen sorrat prej morrave. Nuk do të ketë asnjë sorrë as një morr të vetëm. Nxori ferman të tillë: Do të pastrohen këmbët e sorrave dhe do të lyhen me vaj. Sorrat, duke u shqyer mirë, ishin bërë sa një dele, si dhe dita-ditës shtoheshin. Erdhi një kohë që sorrat ishin rritur dhe shtuar aq shumë saqë nuk i zinte më as qyteti.

Përsëri erdhi koha e zgjedhjeve. Në këto zgjedhje,me shumë për falënderim ndaj mbretit të vjetër, pesëqind sorra përsëri nga tri herë glasuan sipër kokës së tij. Mbreti aq mirë ishte kujdesur për sorrat saqë njerëzit i kishin braktisur shtëpitë e tyre dhe qytetin dhe kishin dalë maleve, fushave ngaqë nuk kishte mbetur vend nga sorrat. Sorrat ishin rritur posa lopët. Përsëri u organizuan zgjedhjet e reja. Sorrat bërë sa lopët kishin filluar të fluturonin në qiell. Nga zërat e tyre veshët po u shurdhoheshin.

Sorrat, për ta paguar borxhin ndaj mbretit, këtë herë të gjitha së bashku sipër kokës së mbretit lëshuan falënderim. Njerëzit, kur u afruan për ta dërguar mbretin e zgjedhur përsëri në pallat, panë një grumbull glasash sipër kokës së tij. Mbreti kishte mbetur i shtypur nën atë grumbull. Njerëzit që ndodhe­shin në vendin e ngjarjes, përsëri filluan të bërtasin: vëlla sorrë, vëlla sorrë më zgjidh mua.

 

 

(Marrë nga numri i 11-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Fatijona Bajraj)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akil Gjakova ishte njëri prej pesë xhudistëve të Kosovës që…