Mbrojtësi argjentinas: Ronaldinho më dhuroi fanellën dhe më kërkoi të mos e godisja
Ronaldinho është një nga lojtarët më të mirë në histori të futbollit, teksa këtë e ka dëshmuar edhe në fushën e lojës. Kur topi ishte në këmbët e brazilianit, gjithmonë pritej ndonjë magji prej tij, duke ditur që kishte një teknikë shumë të mirë.
Këtë e konfirmon edhe një deklaratë e mbrojtësit argjentinas, Pablo Alvarez. Ky i fundit në të kaluarën ka qenë pjesë e Katanias në Itali dhe ka treguar një episod me Ronaldinhon, gjatë kohës kur braziliani ishte pjesë e Milanit dhe gjatë ndeshjes me Katanian kishte marrë shumë goditje nga Alvarez.
“Pasi përfundoi pjesa e parë në ‘San Siro’, ne po shkonim në dhomat e zhveshjes dhe mu afrua Ronaldinjo. Ai hoqi fanellën dhe ma dha mua, duke më thënë: ‘Merre, por të lutem mos më godit më’. E kisha të pamundur ta ndaloja atë, ai dukej sikur fluturonte në fushë. Është një nga lojtarët më të mirë në histori të futbollit”, u shpreh Alvarez.