Mbrojtësi rus e vlerëson Dakun si një kundërshtar të rrezikshëm
Është kthyer në një simbol të vërtetë. Mirlind Daku gjithnjë e më shumë po bëhet “kartvizita” e skuadrës së tij, Rubin, ndërsa merr vlerësime edhe nga kundërshtarët.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare është cilësuar si një kundërshtar tepër i rrezikshëm nga mbrojtësi i CSKA-së së Moskës, Danil Krugovoi.
Ai foli pas duelit të pak ditëve më parë në Premier Ligën ruse, dhe që përfundoi 1-1, duke veçuar Dakun si më të rrezikshmin për skuadrën moskovite. Krugovoi deklaroi se forma dhe rezultatet e Rubinit nuk janë aspak habi, dhe se pritej që ekipi nga Kazani të ishte shumë agresiv, me Dakun si shtyllë kryesore e lojës së tij sulmuese.
Po ashtu, vlerësoi se nuk ishte aspak e lehtë të ishte mbrojtës përballë shqiptarit, sepse ai është një sulmues shumë këmbëngulës dhe që nuk dorëzohet asnjëherë.
Mirlind Daku po vazhdon këtë sezon suksesin që pati edicionin e kaluar.
Ai ka shënuar 5 gola dhe ka shërbyer 3 asistime në 9 ndeshje, ndërsa vjet pati 10 rrjeta dhe 4 pasime për gol.