Mbrojtja e Demaliajt në pritje të Apelit për vendimin e ri
Më 27 shtator të këtij viti, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj ishte arrestuar nga Policia e Kosovës, pas deklaratave që i kishte dhënë për ish-prokurorin Elez Blakaj.
Fillimisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për masën e paraburgimit prej 30-ditësh për deputetin Demaliaj, mirëpo avokati i tij, Arianit Koci në lidhje me vendimin e kësaj gjykate kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.
Pothuajse për të njëjtën aktakuzë, ishte arrestuar edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka.
Zeka ishte arrestuar më 26 shtator nga policia pas kërcënimeve që i kishte bërë ndaj prokurorit Special, Afrim Shefkiu.
Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes së tij në Gjykatën e Apelit që vendimi për paraburgim prej 30 ditësh të zëvendësohet me arrest shtëpiak, kjo gjykatë sot e ka pranuar si të bazuar ankesën e avokatit mbrojtës të të pandehurit Milaim Zeka kundër caktimit të masës së paraburgimit prej 1 muaji.
Por Gjykata e Apelit akoma nuk e ka dhënë një vendim të njëjtë si të Zekës edhe për Demaliajn.
Arianit Koci, avokati mbrojtës i deputetit Demaliaj, ka thënë për lajmi.net se pret që nesër të marrë një përgjigje përfundimtare për vendimin ndaj klientit të tij.
“Pas ankesës që kam bërë në Gjykatën e Apelit akoma nuk kam marrë ndonjë përgjigje për vendimin e kësaj gjykate. Pres që nesër të marr ndonjë vendim përfundimtar”, ka deklaruar Koci për “lajmi.net”.
Nëse Gjykata e Apelit vepron sipas ditëve kur janë arrestuar të pandehurit atëherë, i bie që nesër kjo gjykatë të dalë me vendimin për kërkesën që Koci ka bërë për Demaliajn.