Mbrojtja e Driton Lajçit kërkon nga gjyqtari që të urdhërojë përfundimin e menjëhershëm të hetimeve të ZPS-së ndaj tij
Mbrojtja e Driton Lajçit ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara në Hagë, që të urdhërojë përfundimin e menjëhershëm të hetimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) ndaj Lajçit.
Para se në tetor të vitit të kaluar të jepte dorëheqje, Lajçi kishte mbajtur pozitën e shefit të Divizionit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë (MD).
Mbrojtja e Lajçit ka kërkuar nxjerrjen e një urdhri nga gjyqtari i vetëm ashtu që ZPS të ndërpresë hetimin Lajçit, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi të Dhomave të Specializuar.
Këtë kërkesë, mbrojtja e ka arsyetuar me faktin se Lajçi ka qenë objekt i hetimeve të ZPS për dy vjet dhe deri më sot, ZPS nuk ka arritur të ngritë aktakuzë për ndonjë krim që pretendohet se ka kryer Lajçi.
Sipas mbrojtjes, logjikisht hetimi kundër Lajçit ishte nisur para se ai të ishte ftuar zyrtarisht për një intervistë në cilësi të të dyshuarit më 3 maj 2019 dhe një aplikim për të sekuestruar telefonin e tij ishte bërë para urdhrit të gjykatësit paraprak të datës 2 prill 2019.
“Ai u njoftua zyrtarisht se ishte i dyshuar më 3 maj 2019, kur u paraqit Urdhri dhe Thirrja, e cila tani është mbi dy vite më parë”, thuhet në shkresën e mbrojtjes, ku theksohet po ashtu se ZPS nuk e ka mohuar se i njëjti është njoftuar me 3 maj 2019 se është i dyshuar.Sipas mbrojtjes, është e pamohueshme që Lajçi ka qenë objekt i një hetimi dhe ka qenë zyrtarisht i dyshuar për më shumë se dy vjet.Mbrojtja në fund të shkresës ka thënë se ZPS nuk ka arritur të parashtroj aktakuzë dhe ta akuzoj Lajçin brenda afatit të kërkuar, andaj kanë kërkuar nga gjykatësi një urdhër për të ndërprerë hetimin e ZPS-së ndaj Lajçit./BetimipërDrejtësi