MBROJTJA E KORRUPSIONIT NGA KRYEMINISTRI

21 gusht 2023 | 08:53

Nëse liderët nekrofilë nuk do të deklaronin se ishin ndërtues ose mbrojtës, turma e atyre që i mbështesnin, vështirë se do të kishte mjaftuar për të ndihmuar të merrnin pushtetin dhe numri i atyre që do të neveriteshin nga ata, shumë shpejt do të kishte cuar, ndoshta, në rrëzimin e tyre (f. 21) / Erich Fromm

Shkruan: Hajdin Abazi

Vendi lider në botë, ShBA, gjithnjë ka ecur me hapa të pikërishëm për të luftuar dukuritë e abuzimeve përgjithësisht, e posaçërisht nga pushtetarët. Presidenti Joe Biden, në fjalimin e tij mbajtur me 3 qershor 2021, e vuri në objektiv luftimin e kësaj dukurie.

Ai theksoi: “Korrupsioni kërcënon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, barazinë ekonomike, përpjekjet globale kundër varfërisë dhe zhvillimit, si dhe vetë demokracinë. Por duke parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe duke demonstruar avantazhet e qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme, ne mund të sigurojmë një avantazh kritik për Shtetet e Bashkuara dhe demokracitë e tjera.”

Kjo qe nxitja që të bëhej “Strategjia e ShBA-së në kundërvënie korrupsionit”, që u aprovua në dhjetor 2021. Në këtë strategji përfshihet edhe lufta kundër korrupsionit në vende të ndryshme, në mbështetje të demokracisë.

Kjo strategji amerikane në luftën kundër korrupsionit përfshinë edhe vendet e gjeopolitikës perëndimore, sikurse janë, fjala vjen, vendet e Ballkanit. Qëllimi është që  t’i mbrojnë shtetet dhe popujt e tyre nga pushtetarët që po i rrëmihin institucionet nga brenda dhe që populli nuk mundet t’i ndalojë ata për shkak të fuqisë thuaja absolute të pushtetarëve. Për këtë qëllim, pas të dhënash të konfirmuara për persona të caktuar, si targetim publik, State Departamenti amerikan shpall persona non-grata, gjë që e ka bërë thuaja për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, e janë paralajmëruar edhe për Kosovën.

Ky veprim targetues i ShBA-së do të duhej të ishte një paralajmërim shumë serioz për secilin politikan të këtyre vendeve, që të ndryshojnë kursin e qeverisjes, që të heqin dorë nga abuzimi me pushtetin. Por me sa duket, ky paralajmërim dashamirës për popujt nuk mjafton që politikanët t’i thërrasin mendjes dhe të ndalin të keqen që po ngulfat lirinë dhe demokracinë, zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit në të mirë të qytetarëve.

*

Kryeministri i 14 shkurtit 2021 fitoi zgjedhjet si askush më parë, kryesisht me premtimin se do të luftonte korrupsionin, nepotizmin, kapjen e shtetit dhe abuzimin me pushtetin, të cilat i kishte deklaruar me pompozitet se do të ishte i pa kompromis. Ashiqare, kjo ishte në linjën amerikane globale të luftës kundër pushtetarëve  të korruptuar. Në këtë kuptim, Albi Kurti shfaqej si një Mesia.

Dukuritë kancerogjene te abuzimit me pushtetin ishin përhapur në shtrirje sa shumë qytetarë ndesheshin me to dhe e përjetonin si ngulfatje të të drejtave qytetare dhe abuzim me pushtetin, e kishin tjetërsuar dukshëm qeverisjen, gjithsesi jo në mënyrë absolute por ata ishin mjaft sa për të stërkequr pushtetin dhe e kishin bërë të pushtetshme burokracinë e cila thuajse kishte dalë nga kontrolli në nivelin horizontal, ndaj dhe ishte koha më në fund të dilte një forcë politike që të bënte ndryshimin.

Pikërisht për këtë kandidati për kryeministër Kurti u prit me shpresa të mëdha, thuaja si një shpëtimtar!

Dhe ai vetë e kishte trumbetuar fitoren e 14 shkurtit 2021 si një revolucion, si një demarkacion politik kur do të shkëputej e tashmja nga e kaluara, kur do të luftohej e keqja dhe te vendosej drejtësia funksionalë, të fillonte një epokë e re e qeverisjes.

Këto premtime ishin përjetuar si konsumim i ekstazisë në përmasa thuaja gjithëpopullore. Kjo tregon se qytetarët kishin krijuar një perceptim si të domosdoshme për ndryshime, ta shihnin pushtetin në funksion të tyre, të shihnin veprime në forcimin e ligjit dhe të organeve të drejtësisë. Ndoshta ky ishte një ndikim nga diaspora, kur mërgimtarët tregonin se si në vendet e Bashkimit Evropian i realizonin të drejtat e tyre qytetare në mënyrë tepër efiçiente, për të cilat në Kosovë veprohej krejt ndryshe.

*

Që nga ditët e para të instalimit në pushtet kryeministri Kurti më 22 mars 2021, shumëçka që ndodhi ishte ekzaltuese për të gjithë ata që e kishin votuar, sepse dukej se goditja jepej ashtu sikurse ishte premtuar, ani se jo rrallë bëhej pa ndonjë arsye dhe pa fakte, thjesht vetëm pse sekush nuk ishte përkrahës i partive në pushtet, dhe sa për marketing, për të krijuar imazhin se “po e luftojmë të kaluarën”. Por nëse në emër të së kaluarës ndëshkohen dhe të pa implikuarit në afera abuzive, kjo është tregues se puna bëhet me hile.

Guximi pushtetar i Kurtit arriti majat që askush më parë nuk kishte mundur: nepotizmi u legalizua me moton – familjarët e mi janë të shkolluar, kurse njerëzit e pushteteve të tjera ishin vetëm familjarë! U instalua nepotizmi si asnjëherë më parë dhe si nga asnjë qeveri tjetër! Dhe, çuditërisht, të paktë qenë ata që reaguan kundër, që shprehte një pajtim në heshtje me një të keqe publike, sepse ishte kapje e pushteti. Ndoshta besohej se ndryshimi kualitativ kështu duhej bërë, ani se ligjet në asnjë vend të botës demokratike nuk e justifikojnë nepotizmin.

Në vazhdim, gjatë vitit 2021 devijimet, shkeljet procedurale, ligjore, emërimet etj. etj. u bënë me revan, thua se kishte ndodhur një revolucion dhe ishte mposhtur rendi demokratik, e gjithçka që ishte ndërtuar, duhej shkatërruar për ta ringritur sipas vizionit të kryeministrit.

Dhe, rasti më i ri (gusht 2023): skandali me rezervat e shtetit. U zbulua nga portali Nacionale dhe nga gazetari Berat Buzhala. Organet e drejtësisë në mënyrë efikase bënë punën e tyre.

Më 18 gusht 2023, pas orës 20:00, kryeministri i Kosovës publikoi një videomesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës, si përgjigje për bastisjet dhe arrestimet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë (MINT). Pritej me emocione të turbullta deklarimi i tij, “Do t’i mbrojë!”, “Do t’ia lë drejtësisë!”, “Nuk pajtohet me abuzimet dhe do t’i godasë!”, “E ka rastin të tregohet se e lufton korrupsionin” etj. etj.

Por kryeministri Kurti, duke u munduar të buzëqeshte me shtirje, për të lënë përshtypjen se asgjë e keqe nuk ka ndodhur, me një artikulim mekanik, si të ishte ndonjë automat, iu drejtua qytetarëve me videomesazh. Ai nuk denjoi as t’i ftonte mediat e të deklarohej para tyre. Ishte një komunikim i njëanshëm, i pajetë, thua se po fliste ndonjë biobot.

Në këtë adresim qytetarëve Kurti bëri atë që nuk do të duhej ta bënte një Kryeministër: mohoi korrupsionin dhe garantoi se nuk ka ndodhë!

*

Me aq sa di unë, në asnjë vend demokratik, nuk ka ngjarë ndonjë kryeministër të dalë në mbrojtje të korrupsionit e të keqpërdorimeve. Në shumicën e rasteve, kur përballen me afera e skandale, preferohet heshtja, mos përballja me opinionin. Nëse do të detyroheshin, megjithatë, të deklaroheshin, atëherë ata do të dilnin si mbrojtës të ligjit dhe të drejtësisë. “Le të bëjnë punën e vet, pa ndërhyrje e pa ndikim, organet e drejtësisë, dhe nëse gjejnë implikime dhe të dhëna – le të veprohet me peshoren ligjore!”.

Sigurisht nuk është përgjegjësi e një kryeministri të paragjykojë ose të prejudikojë, në secilin rast, se është aferë korruptive apo skandal, po aq sa nuk është as dinjitoze të heshtë dhe t’i shtijë veshët në lesh. Nga pozita e kryeministrit, e njeriut më me pushtet, ai duhet të jetë i matur dhe t’i përzgjedhë fjalët, kuptimin dhe referimin e tyre, ashtu që të mos ketë as aludime ndaj askujt, përpos ndaj atyre që presupozohet të jenë të inkriminuar.

Pa fije dyshimi, asnjë pushtetari, madje as diktatorit më famëkeq, nuk i vjen mirë nëse marrin dheun aferat korruptive, skandalet e ndryshme, abuzimet në emër të shtetit. Vetëm në vendet jodemokratike, është prirje e pushtetit që t’i fshehë e t’i mbulojë fenomenet antiligjore, me objektivin që të mos bëhen publike sepse atëherë ka pasoja, kërkohet përgjegjësi, organet e hetuesisë vihen në veprim.

E vetmja masë reale, që një pushtet do të duhej të ndërmerrte, është që te veprojë prerazi dha ta deklarojë këtë hapur, se nuk do t’i tolerojë abuzimet me pushtetin e nga pushteti, as për pushtetarët e as për përfitime individuale në kurriz të shtetit e të qytetarëve. Dhe, t’i përmbahet kësaj. Kryeministri Kurti e kishte trumbetuar shumë zhurmshëm këtë sa ishte në opozitë, kurse tash si pushtetar mendon e vepron ndryshe.

*

A e di kryeministri, vallë, ç’do me thënë të mohojë korrupsionin kur ai tashmë është një skandal publik? Gjithsesi, do të duhej ta dinte. Dhe, pa fije dyshimi, edhe e di. Po përse po e mbron?

Duhet të ketë ndonjë arsye.

E pra, nuk është mbrojtja e parë që po e bën kryeministri, e as nuk është hera e parë se po ballafaqohet me këtë dukuri, por konstante është mohimi i tij, dhe mbrojtja e të targetuarve.

– Kështu ndodhi me një ambasador (prill 2022): Kryeministri, presidentja dhe ministrja e jashtme nxituan ta merrnin në mbrojtje, thua se që të tre kishin ndonjë borxh ndaj tij, ndërkohë që kishin shkarkuar njerëz pa asnjë pretekst (p.sh. ish kryetarja e KQZ).

– Edhe me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut (prill 2023): Kryeministri i doli në mbrojtje, madje edhe e shkarkoi, sikurse thuhet, komandantin e Task Forcës që e udhëhoqi aksionin për arrestimin e tij.

– U mbrojt në heshtje kryetarja e grupit parlamentar të LVV që u bë kryeprotagoniste e përgjimeve nga biseda të fshehta me Listën Serbe, pikërisht me ata që i akuzonin për krim e terror! Edhe t’i akuzosh edhe të bashkëpunosh tinëza, kjo nuk shkon. Se çdo bashkëpunim publik me minoritetin serb e garanton edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

– Kështu po bën edhe tash me skandalin e rezervave shtetërore!

Me këto qëndrime kryeministri dhe ministrat po duan të intimidojnë organet ligjzbatuese. Mos t’i preknin njerëzit e besuar të kryeministrit Kurti! Apo, ndoshta, donte kështu të krijonte një praktikë të re që para se të hidheshin në veprim organet e drejtësisë, do të duhej të merrnin miratimin e Kryeministrit, pra që ai të shërbente si peshore e drejtësisë?

Po pse po e pengon Kryeministrin hetimi i njerëzve të dyshuar për afera korruptive? Diçka duhet të ketë. E para që të vjen ndërmend është se ai po e bën këtë për ta mbrojtur pushtetin e tij, për të thënë se ai është i papërlyer. Porse duke e mbrojtur korrupsionin nuk mbrohet pushteti por rrëmihet ai: kështu kanë fundosur shumë pushtete. Duhet të ketë diçka më të thellë, të paktën kështu lihet të nënkuptohet.

*

Sigurisht se, juridikisht dhe moralisht, secili mund të jetë vetëm i dyshuar për inkriminim përderisa drejtësia nuk e thotë fjalën e saj, sepse pafajësia është e presupozuar ligjërisht. Por edhe të dilet e të jepen garanci nga njeri me pushtetin e një vendi se nuk ka korrupsion – nuk është aspak e moralshme, pa le se ka implikacione të tjera, si interferim i pushtetit në organet e drejtësisë. Sepse nëse kryeministri garanton se nuk ka asnjë abuzim, atëherë aludohet se drejtësia është gabim që po i ndjek abuzuesit e dyshuar, gjë që edhe e tha kryeministri.

Logjika e thotë se përderisa organet e drejtësisë po kryejnë misionin e vet, Kurti si kryeministër po vepron në të kundërtën duke u munduar të ndikojë në gjyqësorin. Me sa duket, një gjyqësor i mirëfilltë është vetëm ai që gjykon sipas vlerësimit të Kryeministrit, pavarësisht se si mund të jenë faktet.

*

Një pushtetar i vërtet demokrat dallohet pikërisht nga ajo se i nënshtrohet ligjit, për dallim, fjala vjen, nga një pushtetar autoritar i cili e konsideron veten mbi ligjin dhe synon t’i eskivojë atij.

Pushtetari që njëmend është demokrat, në kuptimin se është transparent, se punon sipas ligjeve dhe në frymën e tyre, që ka përgjegjësi dhe është i përgjegjshëm, që vet nuk abuzon me pushtetin por as nuk i toleron të tjerët ta bëjnë atë, që është i gatshëm të mbajë përgjegjësi për atë që ndodhë nën qeverisjen e mandatuar. Për një aferë të vetme, dha dorëheqje Kancelari austriak! Për një plagjiaturë në doktoratë të bërë dekada më parë pati dhënë dorëheqje një ministër gjerman. Për gjëra shumë të vogla japin dorëheqje ministrat e demokracive të njëmendta sepse e dinë se me ligjin nuk luhet. Por edhe se ndërgjegjja e tyre dhe kultura e tyre i bën që të pranojnë fajin dhe të largohen nga skena.

Pushtetari autoritar bën të kundërtën. Në të vërtetë, ai i deklaron të njëjtat gjëra si edhe pushtetari demokrat. Por dallimi është se autotari konsideron se ligjet janë të gabuara, se ato janë kufizuese për realizimin e pushtetit të tij, se ai i jep vetes të drejtë të veprojë edhe duke e anashkaluar ligjin ose duke punuar nën rrogoz, dhe pandeh se ai është i paprekshëm nga ligji. Ai nuk e njeh institucionin e përgjegjësisë, ai mohon edhe kur abuzimet janë publike, gjen arsyetime nga më të ndryshmet, dhe nuk skuqet fare kur del publikisht dhe i mohon ose i minimizon ato. Autoriteti i vetëm kredibil është ai, Kryeministri e jo ligjet.

Demarkacioni midis demokratit dhe autoritarit është se i pari edhe nëse ndodhë të gabojë të bëjë shkelje e pranon atë dhe konsekuencat, kurse i dyti, autoritari, e mohon, nuk e pranon dhe ngre akuza ndaj të tjerëve, gjithnjë sheh fajtorin te tjetri.

*

Se në çka ngjajnë qëndrimet e Kryeministrit Kurti mjafton të shihet e të dëgjohet video-mesazhi i tij. A veproi ai si një demokrat, duke u zotuar se mbështet hetimet e paanshme dhe beson te drejtësia, apo veproi si autoeitar, duke akuzuar organet e drejtësisë?

Përgjigjen e jep vetë kryeministri Kuti në videomesazhin e tij: “Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi.” Foli hirësia  e tij. Mori fund, meqë e tha ai – nuk ka, kot është të hulumtohet, se nuk do të ketë!

Po si është e mundur, vallë, të jetë kaq i sigurt kryeministri për këtë?

Kryeministrit do të mund t’i shërbente si një këshillë ë mirë thënia e popullit: përveç për veten tënde mos vërë dorën në zjarr për askënd se do të digjesh!

Kryeministri shkon edhe më larg, duke u përpjekur të ndikojë në psikologjinë e opinionit: provon ta amortizojë skandalin duke folur vetëm për 3% vonesë të mallrave dhe tregon se për këtë ka procedura ligjore, që edhe pas një viti ende nuk është përmbushë. E sa duhet të pritet për të filluar procedurat, një vit, dy, tri? Sa për qind e abuzimit duhet të përbëjë inkriminim, kryeministër? Dhe a matet abuzimi me përmasën e fitimit, apo me aktin e abuzimit me pushtetin?

Për shkak se u akuzua, Prokuroria u tregua e shpejtë dhe transparente: bëhet fjalë për 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer. Këto paskan arritur edhe pas një viti! Domethënë kryeministër, paska pasur abuzim procedural, dhe financiar (ka ofruar kompania e kontraktuar garanci bankare?), kur paratë janë paguar dhe malli nuk ka ardhur! Ku mbetet mohimi yt pas kësaj? A nuk do të duhej të dilje e të kërkoje falje publikisht, duke thënë se nuk ke pasur dijeni, por që nuk pajtohesh dot me abuzimet? Apo 3% është pak!

Në vend të kësaj, kryeministri vazhdon t’i zbulojë fajtorët dhe të drejtojë gishtin tjetër kah: “Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara për mbështetje tё krimit”. Kjo më kujton kohën e luftës së klasave, të sistemeve totalitare, për çdo dështim të tyre dhe për çdo të keqe, i shpallnin të gjithë të tjerët kundërshtarë dhe armiq!

Sipas kryeministrit Kurti, të gjithë të tjerët kanë faj se përse ka ndodhur ky skandal (dhe abuzime të tjera) nën pushtetin e tij, por jo të implikuarit, jo sepse ti “ke besim të plotë” se kjo nuk ka ndodhë. Me sa duket, ai po shpreson se fjala e tij do t’ua turbullojë mendjet qytetarëve dhe ata t’i besojnë fjalët e tij e jo faktet.

Në apostrofimin e mediave, kryeministri ka të “drejtë”. Ato janë njëmend “fajtore”, sepse e zbuluan abuzimin dhe skandalin me “sekretin shtetëror” dhe e denoncuan publikisht – përndryshe ai do të mbetej kuluareve dhe i panjohur publikisht. Ah, sikur të kishte Kosova ligjin e ostrakizmit dhe ta aplikonte ndaj Berat Buzhalës!

Elitën e vjetër kryeministër e ka ndëshkuar populli me votë. Ti, përse nuk po ke guximin të thuash që nëse drejtësia gjen fakte le të veprojë sipas ligjit edhe ndaj njerëzve të qeverisë sate, përse? Çka po të ndalon? Përse nuk po kërkon dënimin e kryesve të veprave korruptive nën pushtetin tënd, nëse drejtësia e gjen se janë të inkriminuar, ashtu sikurse thoshe për pushtetet e tjera? Nëse nuk je i involvuar, do të duhej ta thoshe këtë.

*

Kurti e futë veten si kryeministër veten dorëzan: “Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”. Por faktet po tregojnë se kryeministri e ka gabim. Ministrja tha se nuk ka informacion për biznesmenin R. Muharremi të jetë i involvuar, kurse ky i fundit, përmes avokatit të tij, deklaroi se vetë ministrja e ka angazhuar atë! Kjo nuk është diskrepancë periferike por është esenciale, sepse po del se vetë ministrja e ka angazhuar R. M. Ani, as kjo nuk mjafton për të reflektuar kryeministri?

Këtyre ditëve e njëjta ministre u ndëshkuar për deklarim të pasurisë jo sipas ligjit, epo kjo do të duhej t’i binte kambanës për të kuptuar dhe reflektuar, për një kryeministër. A do të mjaftojë për Kurtin?

*

Konsistenca e kryeministrit Kurti për t’i mbrojtur vartësit e tij dhe për të mohuar inkriminimet e supozuara edhe kur zbardhen faktet, mua që kam përjetuar regjimin komunist, më sjellë ndërmend kryepushtetarin që kishte aureolë të paprekshme, thuaja shenjtore dhe që fjala e tij kundër ishte zbythje për ligjin e organet e drejtësisë.

Diktatori është mbi ligjin, është mbi pushtetin, është i paprekshëm. Madje, është ai që me fjalimet e tij ua “ndriçon” rrugën prokurorëve në ndërmarrjet e tyre, përkatësisht u dikton se çka duhet të prioritojnë dhe si duhet të veprojnë, çka është krim e çka jo, cilat vepra janë që duhet ndjekur e cilat jo.

Shembull tipik në vendet ish-komuniste ishte lufta ideologjike ndaj atyre që mendonin ndryshe, ndjekja e armiqve të klasës (edhe me dekada pas ardhjes në pushtet të partisë komuniste). Në pamundësi të suksesit dhe të përmbushjes së premtimeve, ata akuzonin të tjerët si pengues dhe sabotatorë! Ata që etiketoheshin armiq kishin një paaftësi, ose rezistenca njerëzore, për të menduar e besuar sipas një ideologjie, për të parë realitetin sipas koncepteve të saja, për ta quajtur rrenën të vërtetë dhe të vërtetën rrenë, dhe pikërisht për këtë ata “bënin krim” dhe duhej të ndiqeshin, përndiqeshin, të arrestoheshin, të maltretoheshin e, nëse nuk likuidoheshin pa ligj, edhe të dënoheshin përmes gjykatave.

Forcat ushtarake të diktatorit Franko në Spanjë vranë Fredriko Garsia Lorka, sepse nuk u pajtua me regjimin shtypës! Sepse veproi kundër shtypjes e Aparthejdit u mbajt 27 vite në burg Nelson Mandela në Afrikën e Jugut. Shkrimtari Adem Demaçi u mbajt 28 vite në burg pse nuk u pajtua më mohimin e lirisë ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi!

Mendimi ndryshe ishte vepër penale, ishte krim, dhe nga pushtetarët konsideroj se kancerogjene. Sepse po të përhapej në popull, ata do të shquanin të vërtetën dhe kështu do t’i vinte fundi regjimeve diktatoriale, ashtu sikurse edhe u erdhi. Sepse e pavërteta, rrena, abuzimi me pushtetin nuk mund të mbrohen pafundësisht, nuk ka mundur ta bëjnë këtë as perandorët e as diktatorët më të fuqishëm që i ka njohur bota. Këtë nuk mundet ta bëjë askush, asnjë autoritet.

*

Në rendet jo-demokratike fundi i pushteteve abuzuese vjen zakonisht me anë të dhunës, kurse në rendin demokratik kjo ndodhë me anë të votës.

“Elitat e vjetra” që i targeton kryeministri Kurti e humbën pushtetin me anë të votës së qytetarëve më 14 shkurt 2021. Pjesa dërmuese e popullit bëri zgjedhjen kundër atyre, duke votuar një kandidat që premtonte ndryshimin në drejtimin e duhur. Dy vite pas ardhjes në pushtet, po del se pikërisht ai kandidat, tash kryeministër, e ka kultivuar nepotizmin duke e legalizuar atë, po e mbron korrupsionin dhe po i sulmon organet e drejtësisë që po i ndjekin abuzuesit e dyshuar dhe veç që nuk po i shpall  armiq të gjithë të tjerët që bëjnë denoncimin e abuzimeve.

Dorën në zemër, asnjë kryeministër i pasluftës nuk e ka mbrojt korrupsionin. Kur janë zbuluar rastet e tilla, kanë ftuar organet e drejtësisë të veprojnë, ose nuk i kanë intimiduar publikisht. Ndoshta kanë bërë ndonjë ekzibicion kuluareve, por jo publikisht sepse e kanë ditur se ka pasoja të pozicionesh kundër organeve të drejtësisë –  aq më tepër kur Kosova ishte dhe vazhdon të jetë nën llupën ndërkombëtare, vendeve të QUINT-it, të EULEX-it dhe të KFOR-it. Të paktën, janë treguar të mençur: nuk kanë hyrë garant për askënd, askënd nuk e kanë futur nën sqetulla. Thjesht, nuk kanë marrë përgjegjësinë e askujt.

Kurse kryeministri Kurti me qëndrimet që është duke shprehur me mohimin e korrupsionit përkundër fakteve, me mbrojtjen e të dyshuarve për abuzim me pushtetin dhe luftën kundër organeve të drejtësisë, është duke bërë luftën e gabuar. Sepse, Kosova ka një Kushtetutë që i siguron pavarësi hetuesisë dhe gjyqësorit. Çdo përpjekje për t’i futur nën kontroll është abuzim me rendin demokratik, është tjetërsim i tij. Pastaj, ne nuk jemi një vend i izoluar. Jemi shtet falë kontributit të vendeve më të avancuara demokratike e posaçërisht ShBA dhe aletet veriatlantikë, të cilat edhe kanë investuar te ne që të ketë demokraci, e shtoji kësaj se po mëtojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, atëherë do të duhej kryeministri Kurti të kuptonte se është kurs i gabuar të ngulfatet, dhe të kapet e të futet nën kontroll, pavarësia e institucioneve të Republikës. Nuk është asnjë kryeministër e as ekzekutivi në shtetet demokratike që e përcakton drejtësinë, po është legjislativi dhe organet e drejtësisë ato që e bëjnë drejtësinë. Ka vend për përmirësim gjithsesi në drejtësi, por ajo që kryeministri po kërkon është kontroll i saj.

Kjo, nuk kalon kryeministër!

*

Se si kam një parandjenjë, dhe ma thotë intuita, se ky skandal i grurit dhe i vajit, skandali me rezervat e shtetit, nuk do të jetë i fundit.

Asnjë qeverisje kurrë nuk vlerësohet sipas kryeministrave, ministrave e pushtetarëve, kjo do të ndodhë edhe me kryeministrin Kurti, por sipas përmbushjes së premtimeve me të cilat e kanë marrë pushtetin.

Kam aq përvojë në politikë sa kam parë kryeministra e ministra të magjepsur nga pushteti. Secili prej tyre, më në fund, përplot pelim, e ka kuptuar se pushteti është i përkohshëm, është me mandat dhe i vjen fundi. Një ditë edhe kryeministri Kurti nuk do të jetë më në pushtet. Nuk do të ketë imunitetin e kryeministrit. Atëherë dorëzania e tij, abuzimi me pushtetin (pa folur për abuzimin me besimin e qytetarëve) mund ta sjellë në përballje me ligjin. Secili kryeministër është në pushtet për të shërbyer në interesin e shtetit, të popullit, e jo për të mbrojtur hajninë dhe korrupsionin.

Me këtë kurs të mbrojtjes dhe mohimit të korrupsionit kryeministri i Kosovës është  duke rënë ndesh me interesat e shtetit, të qytetarëve por edhe me qëndrimin amerikan kundër korrupsionit. Nëse vazhdon kështu, do të mbetet në kahun e gabuar të historisë!

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është ndarë nga jeta gjuhëtari Bahri Beci, anëtar i Akademisë…