Mbrojtja e kullës së Sulejman Vokshit në Gjakovë, në rrezik

24 tetor 2018 | 13:53

“Në mbledhjen e radhës së Asamblesë Komunale në Gjakovë, si pjesë e rendit të ditës, nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është sjell pika për shfuqizimin e vendimit për interesin e veçantë për objektin e mbrojtur të trashëgimisë kulturore, kulla e Sulejman Vokshit”, është thënë në njoftimin për media të Alternativës në Gjakovë, parti kjo e cila drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila.

Sipas Alternativës, asambleja e kaluar me kërkesën e ish-kryetares Kusari-Lila, kishte marrë vendim që ky objekt të jetë i interesit të veçantë, në mënyrë që të kompensohen banorët e kësaj kulle dhe objekti si pjesë e trashëgimisë kulturore të ketë trajtimin dhe mbrojtjen institucionale të Komunës së Gjakovës që të parandalohet shitja e paralajmëruar nga banorët e saj.

“Me këtë rast gjatë mandatit të qeverisjes Kusari Lila, ishin përfunduar edhe procedurat e shpronësimit si dhe ishte ndarë buxheti për kompensimin e banorëve në bazë të vlerësimit nga Ministria e Financave dhe Këshilli për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Që nga ditët e para të qeverisjes, kryetari aktual i Gjakovës, Ardian Gjini, kishte në shënjestër këtë objekt, duke dezinformuar dhe kontestuar buxhetin që e kishte trashëguar për shpronësimin e Kullës”, është thënë në njoftimin për media.

Alternativa në Gjakovë i ka bërë thirrje Këshillit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që ta parandalojë sa më parë veprimet e kryetarit Gjini, duke ia shpjeguar atij rëndësinë historike dhe kulturore që paraqet kjo kullë për trashëgimin.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paris Saint Germain dhe Napoli, do të përballen sonte në…