Mbrojtja e Naim Murselit mohon përfshirjen e tij në vrasjen e Liridona Ademajt
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj tre personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademaj.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë të akuzuarit që do të qëndrojnë në paraburgim për një muaj, secili me akuza të ndryshme në bazë të rolit të tyre të dyshuar në krimin e rëndë.
Sipas vendimit të gjykatës, Murseli dyshohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Plava për vrasje të rëndë, ndërsa Kokalla për marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë.
Diskutimet rreth masës së paraburgimit u zhvilluan gjatë një seance të posaçme, ku mori pjesë edhe i dyshuari Murseli së bashku me avokatin e tij, Ahmet Ahmeti.
Në mbrojtjen e tij, Murseli theksoi se nuk ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe se ai vetë kishte qenë i rrezikuar, kërkues i ndihmës deri në mbërritjen e policisë.
“Unë nuk kam ikur nga vendi i ngjarjes, madje kam qenë vetë i rrezikuar dhe kam kërkuar ndihmë në të njëjtën kohë deri në ardhjen e policisë”, thuhet se kishte thënë i dyshuari sipas vendimit të gjykatës.
Ndërsa avokati Ahmeti tha se Murseli nuk kishte kryer veprën siç ishte përshkruar në dosjen e akuzës dhe theksoi se nuk ka qenë i përfshirë në aktin e vrasjes.
Në përpjekje për të shmangur paraburgimin, avokati Ahmeti kërkoi nga gjykata që të mos e aprovojë kërkesën e prokurorisë ose, në të kundërtën, të caktojë një masë më të butë, alternative.
Vendimi për paraburgimin u mor nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Sulltane Hoti.