Mbrojtja e Selimit kërkon më pak redaktime në vendimin mbi konfirmimin e aktakuzës
Përmes një shkrese drejtuar trupit gjykues, mbrojtja e Rexhep Selimit, ka kërkuar që vendimi mbi konfirmimin e aktakuzës të përmbajë më pak redaktime.
Në këtë shkresë, thuhet se mbrojtja kërkon nga trupi gjykues që të riklasifikojë vendimin për konfirmimin e aktakuzës si konfidencial dhe më pak të redaktuar, për të pasqyruar versionin më pak të redaktuar të aktakuzës, të paraqitur më 27 janar 2023 dhe dosjes paraprake të ZPS-së, të paraqitur më 15 shkurt 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Redaktimet e mbetura të aktakuzës, të urdhëruara nga gjyqtari i procedurës paraprake sipas nenit 39 (11) u hoqën dhe një aktakuzë e paredaktuar iu njoftua mbrojtjes më 27 janar 2023 dhe një version më pak i redaktuar i dosjes paraprake të ZPS-së, i paraqitur më 15 shkurt 2023”, është thënë në shkresë.
Sipas mbrojtjes, pasi që redaktimet në vendimin e konfirmimit janë bazuar në këto redaktime të aktakuzës, të cilat që atëherë janë hequr, redaktimet proporcionale në vendimin konfirmues nuk janë më të nevojshme apo të arsyeshme.
Mbrojtja e Selimit ka thënë se duke pasur parasysh deklaratën e qartë të trupit gjykues për domosdoshmërinë e një gjykimi publik, vendimi i konfirmimit duhet të riklasifikohet vetëm mbi këtë bazë.
“Megjithatë, aktakuza e paredaktuar zbuloi gjithashtu një sërë pretendimesh të reja kundër Selimit dhe shqyrtimin gjyqësor dhe analizën e këtyre pretendimeve nga gjyqtari i procedurës paraprake në pjesët e redaktuara të vendimit për konfirmim. Marrja e këtij informacioni do të ndihmonte mbrojtjen që të përgatitej në lidhje me këto pretendime”, është thënë në këtë shkresë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.