Mbrojtja e Selimit kërkon nga prokuroria të mos ndikojë në dëshmitarë gjatë seancave përgatitore
Mbrojtja e Rexhep Selimit ka kërkuar nga trupi gjykues që të paralajmërojë Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të mos ndikojë tek dëshmitarët gjatë seancave përgatitore.
Kështu është bërë me dije nga Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në konferencën javore të mbajtur të enjten.
Griep ka thënë se fillimisht trupi gjykues më 12 shtator kishte hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes së Selimit për reduktimin e disa provave në deklaratat e mëparshme të një dëshmitari, kur ajo t’i paraqitet atij gjatë seancës përgatitore për të dhënë dëshmi.
“Mbrojtja kishte argumentuar se provat përkatëse nuk ishin në listën e provave materiale. Mbrojtja e Selimit më tej kërkoi nga trupi gjykues të paralajmëronte Prokurorinë të mos ndikonte në dëshmitarin gjatë seancës përgatitore”, ka thënë Griep, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Zëdhënësja ka theksuar se trupi gjykues kujtoi se ligji kërkon që gjatë një seance përgatitore, avokati që parashtron pyetje duhet t’i japë dëshmitarit mundësinë për rishikim të deklaratave të mëparshme, edhe kur pjesë të tyre nuk kanë të bëjnë me dëshminë që do të japë.
“Kjo bëhet për t’iu siguruar dëshmitarëve mundësi të arsyeshme për t’u njohur me deklaratat e tyre të mëparshme para se të fillojnë dhënien e dëshmisë. Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se duke pasur parasysh se kishte përjashtuar një pjesë të madhe të provave të propozuara të dëshmitarit, ishte e arsyeshme që Prokuroria t’i shpjegonte dëshmitarit se kishte ende prova të rëndësishme që ai lejohej të jepte. Trupi gjykues përfundoi se kjo u bë në një mënyrë që nuk ishte e paarsyeshme ose e padrejtë”, ka thënë ajo.
Sipas Griep, më 13 shtator trupi gjykues ka miratuar kërkesën e ZPS-së që një dëshmitar të japë dëshmi përmes video-lidhjes.
Gjithashtu, ajo ka theksuar se bazuar në rekomandimet e Zyrës Administrative, trupi gjykues urdhëroi më tej modifikimin e orarit të seancës në mënyrë që dëshmitari të fillonte dhënien e dëshmisë në orën 12:00 ditën e parë dhe në orën 11:00, në ditët në vijim.
“Për të përdorur kohën në sallë të gjyqit me efikasitet, trupi gjykues urdhëroi Prokurorinë të përpiqej të caktonte dëshmitarë rezervë për dhënie të dëshmisë midis orës 9:00 dhe 10:30 paradite”, ka thënë ajo.
Griep ka thënë se në të njëjtën ditë trupi gjykues ka miratuar kërkesën e ZPS-së, ku është konstatuar se pranimi i deklaratave si prova dhe provave materiale shoqëruese të 12 dëshmitarëve ishte i përshtatshëm pasi ata të jenë paraqitur në gjykatë.
Veç tjerash, për këtë çështje gjyqësore, Griep ka njoftuar se i është vazhduar paraburgimi Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, si dhe gjatë kësaj jave janë dëgjuar katër dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet të hënën (23 shtator 2024) në orarin e zakonshëm. Kurse, në çështjen ndaj Pjetër Shalës, Griep ka njoftuar se nesër (e premte) do të mbahet konferenca e Apelit.
“Gjatë seancës, palët pritet të paraqesin parashtrime dhe trupi gjykues do të kërkojë përditësime lidhur me ecurinë e përkthimit të aktgjykimit në shqip. Administratorja kishte informuar se versioni jopërfundimtar i përkthimit do të dorëzohej më 6 shtator dhe versioni përfundimtar në fund të tetorit. Dhomat e Specializuara përkthejnë të gjitha dokumentet dhe parashtrimet e protokolluara publike në të tri gjuhët e gjykatës: shqip, serbisht dhe anglisht, sa më shpejtë që është e mundshme”, ka thënë ajo.
Griep ka njoftuar se ekipi për komunikim i DhSK-së ka organizuar takime me studentë dhe nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë dhe Ferizaj si dhe me pjesëtarë të pakicave në Llapllasellë.
Gjithashtu, ajo ka thënë se ky ekip zhvilloi edhe një tryezë të rrumbullakët me gazetarë në Prishtinë për t’i përditësuar me informacione lidhur me gjykimet dhe për t’u përgjigjur në pyetjet e tyre.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.