Mbrojtja e Thaçit cakton një hetues nga Zvicra për t’i kryer hetimet
Avokati i Hashim Thaçit, David Hooper, ka akuzuar Prokurorinë e Gjykatës Speciale se ka pretendime të pabaza se kinse mbrojtja është duke dëshiruar ta vonojë çështjen.
“Ndihet një lloj frakture në mes të ZPS-së dhe Gjykatës mes asaj se çka po bën mbrojtja dhe realitetit”.
“Mund të them që për të gjitha grupet e mbrojtjes kemi një nivel përfoljeje sa i përket realizimit të hetimeve në emër dhe në llogari të mbrojtjes sonë, të të akuzuarve që përfaqësojmë. Është një keqkuptim i plotë i ZPS-së se ne po duam ta vonojmë çështjen. Kjo është diçka shqetësuese për mua”.
“Nuk ka absolutisht asnjë lloj sugjerimi për vonimin e procesit gjyqësor nga ana e mbrojtjes dhe nuk e kuptoj se çfarë fitimi mund të ketë mbrojtja nga kjo dhe nuk e di pse prokuroria e pretendon një gjë të tillë deri në një masë”, ka thënë Hooperi.
Më tutje, ai ka bërë me dije se ende nuk kanë filluar hetimet.
“Personalisht do të doja të them që ne ende nuk i kemi filluar hetimet dhe përgatitjet për to. Unë personalisht nuk i shoh hetimet që mund të fillojnë përpara prillit dhe mund të them se edhe në qoftë se nuk do të ishte situata e Covid-19, do të ishte prapë situata e vështirë. Covid-19 ka vështirësuar shumë qasjen për ne. Thaçi pret që unë të vijë në Hagë, dhe unë pres që të vijë në fund të këtij muaji”, ka thënë ai.
Hooperi ka treguar se ka caktuar një hetues që jeton në Zvicër.
“Në fillim të këtij muaji kemi caktuar dikë që të funksionojë si hetues kryesor. Ai është një person që jeton në Zvicër dhe i ka vështirësitë e veta”.
“Nuk e shikoj që të kemi mundësi të fillojmë hetimet edhe për pak muaj”, ka thënë Hooperi.