Mbrojtja e Thaçit: Dëshmitari Dediq e dinte se ushtria dhe policia serbe po i detyronte shqiptarët të largoheshin nga shtëpitë
Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit Pregrad Dediq, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Gregory Keohe, i ka thënë dëshmitarit se ai e dinte se anë e mbanë Kosovës, policia dhe ushtria serbe po i detyronin shqiptarët që të largoheshin nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre.
“Ju e dini se anë e mbanë Kosovës, policia dhe ushtria serbe po i detyronte shqiptarët që të largoheshin nga shtëpitë dhe fshatrat e tyre. Jo vetëm në Rahovec, a është kështu?”, ka pyetur Keohe.
Ndërsa dëshmitari Dediq, ka thënë se e dinte vetëm për Rahovec dhe nuk i interesonte për vende të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E di. Unë di për Rahovecin, por jo për vendet e tjera. Unë isha pensionist dhe i moshuar dhe nuk më interesonin për vendet e tjera”, ka thënë Dediq.
Kurse për Rahovecin Dediq, ka thënë se është pjesërisht e saktë ajo së çfarë thoshte avokati Keohe.
“Është pjesërisht e saktë. Unë jetoja me një lagje me shqiptarët dhe shkonim shumë mirë. Përballë ishin shqiptarë dhe ata thanë se duhet të largohen nga Rahoveci dhe pastaj ushtria shkoi përpara autobusit dhe u tha se mund të ktheheni në shtëpi lirisht. Familja që jetonte pranë meje u kthye në shtëpi”, ka thënë Dediq.
Dediq ka pohuar se në qershor të 1999-ës, ushtria serbe kishte shkuar në Rahovec dhe i kishte thënë popullsisë serbe që ata do të tërhiqeshin si rezultat i marrëveshjes së Kumanovës.
Pas kësaj, Dediq ka thënë se kur u largua ushtria dhe policia serbe, shumë prej popullsisë civile u largua me ata.
“Po ashtu është, saktë. Gruaja ime nuk donte të largohej dhe unë nuk desha të largohem dhe kështu qëndruam aty, por një pjesë e popullsisë u largua bashkë me ushtrinë”, ka thënë Dediq.
Dediq ka pohuar se popullsia serbe është larguar për arsye se kishin frikë nga hakmarrja e shqiptarëve të Kosovës që do të ktheheshin në Rahovec.
“Po, kjo ka qenë arsyeja dhe ishte normale dhe sipas arsyetimit tim unë nuk i kisha bërë njeriu keq dhe vendosa të qëndroj”, ka thënë Dediq.
Dëshmitari Pregrad Dediq