Mbrojtja e Thaçit fillon intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë
Në Dhomat e Specializuara në Hagë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK).
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka filluar intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë por seanca po zhvillohet private.
Dëshmitari është duke u përgjigjur në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, Peter McCloskey.
Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit kanë kërkuar deri në 12 orë për intervistimin e tij.
Kjo është dita e tretë që dëshmitari i dytë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) paraqitet para trupit gjykues.
Të hënën dhe të martën ai është përgjigjur në pyetjet e prokurorisë dhe pastaj të mbrojtjes së viktimave.
Gjatë ditës së djeshme, dëshmia është dëgjuar tërësisht e mbyllur për publikun, ndërsa të hënën një pjesë e intervistimit është bërë në seancë publike.
Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.