Mbrojtja e Thaçit vazhdon marrjen në pyetje të dëshmitarit të tetë
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, po vazhdon edhe gjatë ditës së mërkurë me kundra-pyetjet ndaj dëshmitarit të tetë (me kodin 04323) në seancën ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë.
Nga ana e mbrojtjes së Thaçit, avokati Gregory Kehoe, është duke e marrë në pyetje dëshmitarin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në seancën e sotme të pranishëm në sallë të gjykimit janë Thaçi, Veseli dhe Selimi, kurse Krasniqi është duke e përcjellë seancën përmes video-lidhjes.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith, ka thënë se Krasniqi ka dorëzuar një dokument me të cilin ka heq dorë nga prania në sallë dhe se ai do jetë i pranishëm edhe nesër në të njëjtën mënyrë.
Seanca është duke vazhduar në sesion privat.
Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.