Mbrojtja e Thaçit: ZPS-ja duhet të kërkojë dokumente për UÇK-në nga CIA dhe qeveria amerikane
Prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Claire Lawson, ka thënë se nuk kanë marrë ndonjë dokument nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), sa i përket luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në konferencën sotme në rastin e ish-komandantëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, avokati i Thaçit, Gregory Keohe, ka thënë se ZPS-ja duhet të kërkojë dokumente nga qeveria amerikane dhe nga shërbimi i CIA-së lidhur me UÇK-në.
“Parashtrimit të mbrojtjes së Thaçit sa i takon kontakteve me qeverinë amerikane, shkalla e bashkëpunimit apo materialeve që mund të kemi marrë është tërësisht spekulative nuk ka absolutisht asnjë bazë të mendosh së ZPS-ja ka qasje apo ka në zotërim dokumentacione ashtu siç sugjeron ajo mbrojtje”, ka thënë Lawson.
Keohe ka thënë se ZPS-ja duhet të ketë dokumente të CIA-s të cilat thonë se udhëheqja e UÇK-së nuk është angazhuar në operacione narkotike për të mbështetur aktivitetet e tyre gjatë luftës.
“Në dokument thuhet se UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste të përcaktuara si dhunë e paramenduar e kryer kundër objektive jo luftarake, pra prokuroria thonë që nuk e dinë këtë raport ku thuhet ‘udhëheqja e UÇK-së nuk është e përfshirë në këso aktivitete’”, ka thënë Keohe.