Mbrojtja e Veselit akuzon ZPS-në: Ka orvatje serioze për t’i manipuluar provat
Mbrojtja e Kadri Veselit gjatë konferencës mbi ecurinë e çështjes ndaj krerëve të UÇK-së ka fajësuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) se nuk i ka nxjerrë provat shfajësuese.
Avokati i Veselit, Ben Emmerson, ka thënë se të gjitha provat që gjenden në domenin publik konfirmojnë manipulimet e provave nga autoritetet serbe.
“Ka shumë prova që gjenden në domenin publik dhe të gjithat konfirmojnë manipulimin e provave nga autoritetet serbe siç është zhvarrosja e varreve masive të viktimave në kufi me Serbinë ku është gjetur një kamion”, ka thënë Emmersoni.
Ai ka shtuar se këto prova janë të rrejshme, të cilat përfshijnë torturën dhe shantazhin, dhe të njëjtat nuk janë dhënë nga ZPS-ja, apo nuk i ka përfshirë në materialet shfajësuese.
“Prova të rrejshme, përfshirë torturën dhe shantazhin. Të gjitha janë prova shfajësuese dhe do të duhej të ishin përfshirë te ZPS-ja. Volumi i kësaj çështjeje gjyqësore është tepër i madh. Tani kemi arritur vetëm 70 për qind të materialeve. Ka diçka që nuk shkon. U dashkan edhe shtatë muaj të tjerë për ta përfunduar. Duhet një afat këtu”, ka thënë avokati i Veselit, duke shtuar se ka orvatje serioze për t’i manipuluar provat.
“Ka diçka që nuk po funksionon me efikasitet. Çdo prokuror që ndodhet dhe që merr pjesë në këtë proces mund të jetë në dijeni të informacioneve që ka parë. Provat e forcave serbe në terren në Kosovë, që kanë pasur municione kineze për ta bërë situatën, për të vrarë civilë, që të dukej sikur i kishte bërë UÇK-ja. Ka orvatje serioze për t’i manipuluar provat. Ky informacion dihet pse nuk na është dhënë. Ka diçka që nuk shkon këtu”, është shprehur Emmersoni.
Se ZPS-ja është treguar shumë e ngathtë për dhënien e provave, ka thënë edhe Andrew Strong, avokat tjetër i Veselit.
“16 muaj dhe këta janë në burg e ende nuk janë zbuluar të gjitha dokumentet, vetëm 70 për qind e tyre. Edhe për 30 për qind të dokumenteve të mbetura na duhen kohë edhe pesë muaj. Prandaj na duhet një afat. Ky është një proces që po konsumon kohë. Materialet që kemi marrë së fundi janë të para tre vjetëve. Dhe këtë nuk e kuptoj. Mendojmë se diçka nuk po funksionon”, ka thënë avokati Strong.