Mbrojtja i kërkon Speciales që Rexhep Selimi të lirohet deri më 29 janar, i gatshëm të dorëzojë leternjoftim e pasaportë
Mbrojtja e “10”-shit të UÇK-së”, ish-deputetit Rexhep Selimi, ka kërkuar sërish që ai të lirohet nga paraburgimi në Hagë dhe t’i mundësohet mbrojtja në liri.
Avokati i tij, Geoffrey Roberts, ka parashtruar edhe disa kushte të cilave Selimi është i gatshëm t’u përmbahet nëse i mundësohet lirimi nga paraburgimi, raporton lajmi.net.
Një nga këto kushte është edhe dorëzimi i dokumenteve të udhëtimit, që i mundësojnë atij kalimin në një shtet tjetër.
“Z. Selimi dorëzon pasaportën e tij dhe çdo dokument tjetër të vlefshëm të udhëtimit te zyrtarët e autorizuar të KSK-së, duke përfshirë letërnjoftimin e tij të Kosovës që lejon udhëtimin në Shqipëri”, thotë avokati i Selimit në një parashtresë.
Tutje, mbrojtja bën me dije se në shtëpinë e Selimit është edhe një dhomë ku të gjitha vizitat jofamiljare do të bëhen në prani të zyrtarit të Policisë së Kosovës.
“Në shtëpinë e z. Selimi është caktuar një dhomë e veçantë ku të gjitha vizitat jofamiljare do të bëhen në prani të zyrtarit të Policisë së Kosovës që ruan banesën, e cila gjithashtu do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes me video e cila do të regjistrojë ose transmetojë të gjitha takimet jofamiljare për shqyrtimin e menjëhershëm nga roja i caktuar si dhe për transmetim në Regjistër”, thotë tutje avokati i Selimit.
Avokati i Selimit tutje ka propozuar që lirimi i tij të bëhet deri më 29 janar, atëherë kur do të bëhet pajisja me deklaratat e paredaktuara të dëshmitarëve të mbrojtur të Prokurorisë.