Mbrojtja kërkon lirimin në arrest shtëpiak të Thaçit, përmend garancitë e policisë dhe të shteteve të treta
Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory W. Kehoe, në një shkresë të gjatë, ka listuar argumente, që sipas tij, gjyqtari i procedurës paraprake duhet t’i marr parasysh për lirimin në arrest shtëpiak të Hashim Thaçit.
Ai ka përmendur garancinë e dhënë nga Policia e Kosovës dhe garancitë e qeverive të vendeve të treta.
Kehoe ka thënë se nuk ka rrezik që klienti i tij të ikë apo që të bëjë përpjekje për të penguar procedurat e gjykatës, dhe gjithashtu thekson se s’ka ndonjë rrezik që Hashim Thaçi “të kryejë ndonjë vepër tjetër penale”.
Kehoe gjithashtu si argument për lirimin e Thaçit nga paraburgimi e ka përdorur edhe garancinë e dhënë nga Policia e Kosovës.
“Në çfarëdo rasti, nëse kërkohet, z. Thaçi konfirmon se ai është i gatshëm që të pranojë arrestin shtëpiak nën çfarëdo kushti të arsyeshëm që Gjykata e Procedurës Paraprake e sheh të nevojshëm, përfshirë edhe kushtet standarde të arrestit shtëpiak për të plotësuar çdo kërkesë apo shqetësim të Prokurorisë dhe Gjykatës”, është thënë në kërkesën e mbrojtjes.
Gjithashtu mbrojtja e Thaçit ka përsëritur si alternativë edhe lirimin e Thaçit në një shtet të tretë që ka dhënë garancitë.
“Mbrojtja përsërit propozimin e saj që z. Thaçi të lirohet në territorin e [Redaktuar], në kushtet që konsiderohen të nevojshme nga Gjykata e Procedurës Paraprake, në zbatimin e Nenit 41 (11) dhe të Ligjit dhe Rregullit të Dhomave të Specializuara 56 (4) të Rregullave. Një masë e tillë vetëm se është aplikuar me sukses përpara gjykatave të tjera ndërkombëtare për ish-zyrtarë të lartë dhe është plotësisht e justifikueshme në rastin e tanishëm”, ka theksuar mbrojtja në dokumentin e datës 30 nëntor 2021.
Mbrojtja ka përmendur edhe garancinë që ky shtet i tretë ka dhënë për të akomoduar Hashim Thaçin nën kushtet e kërkuara nga gjykata e procedurës paraprake.
“Qeveria e [redaktuar], ka konfirmuar aftësinë për të siguruar dhe monitoruar vendin e qëndrimit të z.Thaçi në [redaktuar] në baza ditore, në pajtim të plotë me kërkesat e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, është potencuar në argumentimin e mbrojtjes.
Në fund, mbrojtja ka thënë se Gjykata e Procedurës Paraprake duhet të thërras në seanca dëgjimore, Policinë e Kosovës dhe përfaqësuesit e qeverive të vendeve të treta që kanë ofruar garanci për mbajtjen e Thaçit në arrest shtëpiak.