Mbrojtja kundërshton ZPS-në, kërkon lirimin e Selimit deri në 30 ditë para gjykimit
Në përgjigje ndaj kërkesës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), mbrojtja e ish-deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka kërkuar lirimin e këtij të fundit deri në 30 ditë para gjykimit.
Kjo është bërë me dije përmes shkresës së publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në këtë shkresë është thënë se kushtet e gjera, të arsyeshme, reale dhe të detyrueshme të lirimit të përkohshëm mund të zbusin mjaftueshëm gjasat e rreziqeve të identifikuara nga gjyqtari i procedurës paraprake në përputhje me nenin 41(6)(b) në lidhje me Selimin.
Sipas mbrojtjes, në këto rrethana, gjyqtari i procedurës paraprake duhet të refuzojë kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit të Selimit, pavarësisht vendimit të Kolegjit të Apelit, i cili ka vërtetuar vazhdimin e paraburgimit të Selimit të caktuar nga gjyqtari i procedurës paraprake.
Po ashtu është thënë se mbrojtja ka rikujtuar se Kolegji i Apelit miratoi qasjen e gjyqtarit të procedurës paraprake gjatë vlerësimit të kushteve të propozuara të lirimit i cili: “nuk ka vendosur një standard që do të përmbushej vetëm kur mbrojtja e ofruar nga Policia e Kosovës ishte ekuivalente me atë të objekteve të paraburgimit, por e përdori atë si një metodë për të vlerësuar përshtatshmërinë e kushteve të propozuara në drejtim të zbutjes së rreziqeve të identifikuara”.
“Për të lejuar lirimin e përkohshëm sipas kushteve, gjyqtari i procedurës paraprake nuk duhet të jetë i bindur se kushtet do të përsërisin saktësisht ato në objektin e paraburgimit të DhSK-së, por përkundrazi se, të vlerësuar në mënyrë holistike, kushtet e kombinuara të lirimit do të zbusin mjaftueshëm rreziqet e nenit 41(6)(b) . Kushtet e kombinuara të përcaktuara këtu, të cilat do të vendosnin kufizime të rënda dhe të gjera për lirinë e z. Selimi, do ta përmbushnin atë standard”, është thënë nga mbrojtja e Selimit.
Më tutje, mbrojtja ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të refuzojë kërkesën e ZPS-së për vazhdimin e paraburgimit të Selimt dhe të lirojë atë deri në 30 ditë para fillimit të gjykimit, me kushtet e nevojshme.
Ndryshe, në këtë shkresë, mbrojtja ka paraqitur edhe argumentet lidhur me vizita të pa monitoruara të Selimit dhe monitorimin në distancë të vizitave dhe përfshirjes së personelit të objekteve të paraburgimit të DhSK-së.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Ata janë arrestuar më 5 nëntor dhe janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Hagë. Qysh në fillim të seancave gjyqësore ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta.