Mbrojtja: Nuk ka prova që e lidhin Veselin me krimet e pretenduara
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka rinisur seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tani radhën për deklaratën hyrëse e ka Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit.
Ai pritet të shfrytëzojë 45 minuta deri në 1 orë kohë për deklaratën e tij hyrëse.
Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, tha se kundër klientit të tij s’ka asnjë provë – përjashtim me një që do ta elaborojë më vonë – e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat ngarkohet.
“Asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë parë Kadri Veselin të bënte diçka të papërshtatshme. Deri javën që shkoi ishte një dëshmitar në listën e ZPS-së, edhe pse kishte vdekur dhe provat ishin në letër. Ishte një dëshmitar që kishte pretenduar se e ka parë Veselin në Kukës duke marrë në intervistë një të ndaluar. Por, ishte e dukshme që në fillim dhe pasi pamë deklaratat e dëshmitë e tij se ky dëshmitar ishte gabuar sa i përket identifikimit të Veselit dhe ai kështu ishte shprehur edhe vetë. ZPS tani e pranon se ky dëshmitar e ka identifikuar gabimisht Veselin. Qëndrimi i ZPS është se është e panevojshme të ndryshojnë aktakuzën për këtë gjë. Ata nuk propozojnë që të paraqesin prova në mbështetje të kësaj”, tha avokati Ben Emmerson.
Sipas Emmerson, nuk ka asnjë provë që Veseli, si shef i zbulimit, “ka autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo vepër kriminale, apo të ketë marrë ndonjëherë ndonjë raportim për kryerjen e ndonjë krimi”.
Emmerson ka përshkruar rolin e klientit të tij brenda strukturave UÇK-së si shef i shërbimit sekret.
“Sapo Veseli u emërua shef i zbulimit ai u largua nga Kosova deri pak para momentit që NATO të marrë vendimin për bombardime”, tha ai.
Sipas avokatit, Funksioni i zbulimit që kryente Veseli ishte i fokusuar në lidhjet e mbajtura me aparatin informativ të Shqipërisë dhe disa shteteve të NATO-s në pritje të asaj që pritej të vinte, përkatësisht fushata e bombardimeve.
“Funksioni i tij nuk kishte të bënte fare me zbulimin e brendshëm apo gjetjen e kolaboracionistëve. Fokusi i tij ishte thuajse tërësisht me mbajtjen e lidhjes me organizatat e huaja”, tha Emmerson.
Ai përsëriti disa herë që Veseli kishte qëndruar jashtë Kosovës dhe nuk ishte prezent në vendet ku prokuroria pretendon se janë kryer krime në qendrat e ndalimit.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në ditën e parë të gjykimit mbështeti provat e saj në dokumentet rregullatore të UÇK-së, duke u mbështetur në dëshmitë e dëshmitarit Bislim Zyrapi.
Zyrapi gjatë luftës ka qenë shef i Shtabit të UÇK-së.
“Zyrapi ka dëshmuar disa herë për këto dokumente në Hagë. Ai ka dëshmuar se këto rregulla ishin thjesht në nivel aspirate, nuk u vunë asnjëherë në jetë, ishin projekt-dokumente që nuk kishin të bënin asgjë me realitetin”, tha Emmerson.
Ai tha se këto dokumente, që u hartuan në fund të vitit 1998, kishin për synim që ta bënin më profesionale UÇK-në.
“….për ta konvertuar nga një forcë guerile, në një ushtri që do të ishte e aftë për të mbrojtur popullatën civile nga një fushatë e spastrimit etnik”, tha ai.
Ben Emmerson, tha se disa persona kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK për qëllime politike, e disa të tjerë janë distancuar për shkak të frikës se mund të përballen me një gjykim.
“Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, tha ai.
Sipas Emmerson gjatë këtij gjykimi do të paraqitet një panoramë e ndërlikuar e një periudhe kaotike, për shkak të distancës kohore prej kur ka ndodhur lufta e deri te nisja e gjykimit.
“Ngjarjet të cilat ju do t’i shihni kanë ndodhur thuajse para 25 vjetësh dhe me keqbesim apo jo kujtimet edhe mund të dobësohen apo shtrembërohen”, tha ai.
Emmerson tha se situata ndërlikohet edhe më shumë për shkak të propagandës së luftës, që tha se është përdorur nga të gjitha palët, përfshirë UÇK-në.
Emmerson tha se klienti i tij dhe as UÇK-ja nuk i kanë shënjestruar mbështetësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Një prej të metave në thelbin e provave që ka prokuroria është nocioni që e mendon një numër relativisht i vogël i individëve, që udhëheqja e UÇK-së, kanë komplotuar së bashku për të vënë në shënjestër mbështetësit e LDK-së për t’i përndjekur, por siç do ta dëgjoni, ky është një mendim krejt i ndryshëm nga ajo që ka ndodhur në terren”, tha ai.
Sipas Emmerson, “shumica e anëtarëve të UÇK-së ishin mbështetës të LDK-së”.
“Nuk ishin dy grupe më vete, ishin të ndërthurura. Konflikte ka pasur, dallime në mendime ka pasur, si në çdo rast kur bashkohen dy forca politike”, tha Emmerson.