Mbrojtje bërthamore europiane, Macron: Duhet të fillojmë të mendojmë edhe pa amerikanët
Pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, fuqia e vetme bërthamore në kontinent është Franca.
Së fundmi, për shkak të luftës në Ukrainë dhe mundësisë së rikthimit të ish-presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, shefi i Elizesë Emanuel Macron ka propozuar të udhëheqë mbrojtjen e përbashkët bërthamore evropiane.
Ai e ka theksuar edhe më herët rolin lider të Francës në arkitekturën e re të sigurisë në Evropë.
“Unë jam gati ta çel këtë debat, i cili duhet të përfshijë mbrojtjen kundër raketave me rreze të gjatë veprimi dhe nga armët bërthamore. Le t’i vendosim të gjitha në tryezë dhe të shohim se çfarë na duhet për ombrellën mbrojtëse. Franca është e gatshme të kontribuojë më shumë në mbrojtjen e përbashkët europiane”, tha Macron.
Franca, e cila ka rreth 300 koka bërthamore, është e vetmja fuqi bërthamore në Bashkimin Europian.
Presidenti francez javët e fundit ka miratuar një qëndrim gjithnjë e më të ashpër kundër Rusisë lidhur me pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës dhe nuk është hera e parë që ai sugjeron përdorimin e armëve bërthamore të Francës për mbrojtjen e BE-së.
Macron së pari la të kuptohet për lëvizjen e mundshme në vitin 2020, kur ai bëri thirrje për një “dialog strategjik” mbi “rolin e parandalimit bërthamor të Francës në sigurinë kolektive të Europës”, në një përpjekje për të hapur diskutime mbi këtë çështje me Gjermaninë, e cila është mikpritëse e armëve bërthamore amerikane.
Franca më pas përsëriti ofertën në 2022. Deri më tani, Berlini nuk e ka pranuar.
Por në janar, Manfred Weber, udhëheqësi i Partisë Popullore Evropiane (EPP) të qendrës së djathtë dhe një anëtar i CSU-së bavareze, e cila aktualisht është pjesë e opozitës gjermane, tha se Europa duhet të “marrë ofertën e Macron” në funksion të ndërtimit të “dimensionit evropian të mbrojtjes bërthamore si një qëllim afatgjatë”.
Ndërtimi i një politike europiane të mbrojtjes së përbashkët ka qenë prej kohësh objektiv francez, por është përballur me kundërshtimin e vendeve të tjera të BE-së, që konsiderojnë ombrellën e NATO-s më të besueshme.