Mbrojtje pa pagesë për policët që morën pjesë në arrestimin e Gjuriqit
Avokati Musa Damati ka reaguar menjëherë pas ankesës së zëvendësministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Milan Radojeviq në Inspektoratin Policor, për të nisur hetimet ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët kishin marr pjesë në arrestimin e drejtorit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq.
Ai gjatë një prononcimi për “KosovaPress”, ka bërë me dije se çdo zyrtar i Policisë së Kosovës që ka marrë pjesë në ndërhyrjen dhe arrestimin e Marko Gjuriqit, dhe të cilit i iniciohet ndonjë procedurë ligjore kundër tij, mund të përfitojë shërbime profesionale ligjore pa pagesë nga zyra e tij.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arbër Beka, ka thënë se IPK-ja ka pranuar një ankesë lidhur me këtë rast, e cila fillimisht është trajtuar në Departamentin për menaxhimin e ankesave e pastaj në Departamentin e hetimeve.
“Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë disa veprime hetimore lidhur me këtë rast dhe kanë dërguar një raport njoftues te Prokuroria Themelore në Mitrovicë”, ka thënë Beka për “KosovaPress”.
Ky medium ka provuar të kontaktojë sot gjatë ditës edhe me Prokurorinë në Mitrovicë në lidhje me këtë çështje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.