Mbushin 100 vjeç, në shitje kabinat e kuqe legjendare të Britanisë së Madhe
Pavarësisht reduktimit të numrit të tyre, kabinat e kuqe telefonike mund të shihen ende në shumë vende në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar ndërkohë që ikonat kulturore kremtojnë njëqind vjetorin e tyre.
Kur njerëzit mendojnë për Britaninë e Madhe, disave mund t’u shkojnë në mend autobusët e kuq, Beatles ose Buckingham Palace, ndërsa të tjerëve mund t’u vijnë në mendje peshku me patate të skuquara, pijetoret apo ndjenja e fortë e vetëkontrollit.
Megjithatë, ndoshta imazhi më ikonik mbeten kabinat tradicionale të kuqe të telefonit, që kanë arritur të mbijetojnë, pavarësisht përdorimit të tyre të rrallë në Britaninë moderne.
Në të vërtetë numri i kabinave telefonike në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar është zvogëluar pesëfish vitet e fundit, sipas British Telecom (BT). Vetëm 3.000 kabina tradicionale të kuqe kanë mbetur.
Në fund të jetës
Nën kërcënimin ekzistencial, fillimisht për shkak të celularëve, dhe aq më tepër që kur telefonat inteligjentë filluan të dominojnë jetën tonë, në vitin 2008 BT prezantoi programin “Adopto një kabinë”, me më shumë se 7200 kabina telefonike të marra nga komunitetet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për vetëm 1£ (1,17 €) secila.
“Kabinat mund të birësohen nga këshillat e komunitetit ose famullitë dhe organizatat e regjistruara të bamirësisë,” sipas faqes së internetit të BT. Ndërsa kabina klasike shënon 100 vjetorin e saj, një shtysë e re është ndërmarrë në Skoci.
“Me shumicën dërrmuese të njerëzve që tani përdorin telefonat celularë dhe përmirësimet e konsiderueshme në shtrirjen e rrjetit celular në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi vazhduar të shohim një rënie të madhe të numrit të telefonatave nga telefonat me pagesë,” tha Michael Smy, drejtues i projektit të BT.
“Me kabinën ikonike të kuqe që do të mbushë 100 vjeç,” shtoi ai, “është një mundësi e shkëlqyer për t’u kujtuar komuniteteve që dëshirojnë të mbajnë ende kabinën e tyre lokale për ta marrë atë për vetëm 1£.”
Ne kemi parë tashmë disa konvertime të shkëlqyera të kabinave në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që janë bërë asete të vlefshme të komunitetit. Këto “konvertime” i kanë shndërruar kabinat e famshme të kuqe në një sërë hapësirash në objekte të dobishme dhe kulturore: nga njësitë e defibrilatorëve dhe bibliotekat, deri te minigaleritë e artit dhe muzetë lokalë. BT do të vazhdojë të ofrojë energji elektrike, pa asnjë kosto, për të fuqizuar dritën për kabinat telefonike të birësuara.