Mbyllen hetimet për vdekjet e dyshimta në Klinikën Infektive në QKUK

12 tetor 2021 | 11:11

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin e ka bërë me dije Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Nga kjo prokurori është thënë se nga raportet e autopsisë është bërë e ditur se gjashtë vdekjet kanë rezultuar se ishin vdekje të natyrshme.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të hetimeve dhe trajtimit të rastit në fjalë, më 11.10.2021, e ka mbyllur këtë rast”, është thënë nga prokuroria.

Më tutje është thënë se nga raportet e autopsisë gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar se ishin vdekje të natyrshme dhe të njëjtin kanë qenë të infektuar me virusin Covid-19.

“Nga raportet e autopsisë, gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar se kanë qenë vdekje të natyrshme dhe të njëjtit kanë qenë të infektuar me Covid-19”, është thënë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Ndryshe në fillim ishin ngritur dyshime për mosfunksionim të sistemit të oksigjenit në Infektivë. Kurse Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë pati nisur menjëherë hetimet lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Pas ngjarjes së 5 korrikut 2020, opozita e atëhershme kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Por përmes një reagimi për media, Ministria e Shëndetësisë pati theksuar se duhet pritur rezultatet e hetimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbi 130 shtete kanë arritur një Marrëveshje për ndryshime gjithëpërfshirëse…