Mbyllen klubet e natës dhe shkurtohet orari i gastronomisë, këto janë masat që pritet të miratohen
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar krerët e institucioneve shëndetësore dhe personat e angazhuar në mbikëqyrjen dhe zbatimin e masave anti-Covid, me të cilët ka diskutuar rreth masave të reja.
“Do të propozojmë të mbyllen për një kohë klubet e natës, të reduktohet orari i gastronomisë. Ndërsa do të propozojmë edhe një zgjidhje për dasmat, me shumë kufizime të reja për shkak të rezervimeve të mëhershme që kanë bërë qytetarët tanë”, ka thënë ministri Vitia.
Ai u shpreh se, “Arsyeja pse masat kufizuese do të merren në këta sektorë është sepse është evidente që shpërndarja e virusit po vjen nga grumbullimi i madh dhe mos-respektimi i këtyre masave”, ka deklaruar Vitia.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka njoftuar se nga data 20 gusht, do të mbyllen klubet e natës, deri më 1 shtator, ndërkaq restorantet e kafeteritë do të punojnë deri në orën 22:30.
Sipas njoftimit, do të zvogëlohet edhe numri i dasmorëve nëpër dasma, nga 300 sa ishte në 150 dasmorë.
“Masat janë nga data 20.08.2021: Sallat e dasmave deri në ora 22:30, kapaciteti i klientëve 150 të pranishëm. Klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafiteritë etj punojnë deri 22:30”, thuhet në njoftimin e Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.