Mbyllen stacionet e metrove në Kiev
Pesë stacione nëntokësore të trenit janë mbyllur në Kiev të Ukrainës pas një paralajmërimi se mund të ketë bombë në prag të finales së Ligës së Kampionëve të UEFA-s që mbahet sot.
Ky lajm u bë i ditur nga operatori i metrove të kryeqytetit ukrainas.
“Stacionet janë mbyllur për udhëtaret dhe po bëhen kontrolle”, u tha në deklaratën e postuar në “Twitter”.
Ky njoftim vjen pasi mijëra fansa të Real Madrid dhe Liverpool janë mbledhur në Kiev për finalen e parë të UEFA-s që mbahet në Ukrainë.
Finalja, e cila do mbahet në Stadiumin Olimpik të NSC, do të fillojë në orën 20:45.
Kjo lojë që është organizuar nga i njëjti stadium ku u mbajt finalja e Euro 2012, është një ngjarje e rrallë prestigjioze për Ukrainën e cila është ende në konflikt me separatistët e mbështetur nga Rusia, si dhe përballet me probleme të rënda ekonomike dhe të korrupsionit.