Mbyllen tri pompa të karburanteve në veri që punuan pa licencë
Inspektorati i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë, ua ka ndërprerë të martën veprimtarinë tri pikave të karburantit në veri të Kosovës, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ua ka ndërprerë kontratat e qirasë.
Në një komunikatë për media të AKP-së është thënë se qiramarrësit e pikave të karburantit në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok kanë punuar pa licencë dhe dy prej pikave as nuk kanë qenë të fiskalizuara.
Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se e ka ndihmuar AKP-në në ndalje të punës së pikave.
Këto pika karburanti e kanë logon e kompanisë Industria e Naftës e Serbisë (NIS).
Mirëpo, sipas informatave të REL-it, ato prej disa vitesh janë në pronësi të biznesmenëve nga veriu i Kosovës.
Pronarja kryesore e kompanisë NIS është Gazprom Neft, më pas një përqindje e kanë kompania e saj ombrellë, Gazprom dhe shteti i Serbisë.
Gazprom Neft është prodhuesi i tretë më i madh i naftës në Rusi.
Marko Gjuriq, sa ka qenë në pozitën e Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, pati marrë pjesë në hapjen e njërës prej pikave të pompave të NIS-it në veri.
Është e paqartë nëse këto pompa janë furnizuar me karburante nga NIS-i i Serbisë, apo nga burime tjera.
Hapja e pompës NIS në vitin 2016 ishte kundërshtuar ashpër nga autoritetet e Kosovës, dhe notë proteste i ishte dërguar edhe Bashkimit Evropian dhe të gjitha institucioneve ndërkombëtare.
Autoritetet e Kosovës e patën cilësuar punën e kësaj kompanie të naftës në Mitrovicë të Veriut si përpjekje për të përhapur ndikimin e Rusisë në Kosovë dhe rajon.