Mbyllen vendvotimet në Maqedoninë Veriore, dalja në votime 50,86 për qind
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut (KSHZ), ka shpallur të mbyllura votimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat janë zhvilluar nga ora 07.00 deri në orën 21.00.
Sipas KSHZ-së, pjesëmarrja në votime deri në orën 20:30 është 50.86 për qind, e që sipas kryetarit të këtij institucioni, Oliver Derkovski, do të jetë për një ose dy për qind më e lartë pas numërimit të daljes edhe për 30 minutat e fundit.
Sipas të dhënave të publikuara, pjesëmarrja më e lartë në votime ka qenë në njësinë e katërt zgjedhore prej 59.79 për qind ndërsa më e ulët në njësinë e gjashtë zgjedhore, kryesisht me votues shqiptar, ku të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 39.23 për qind e votuesve.
“Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” se zgjedhjet ishin të qeta.