Mbyllet ambasada e ShBA-së në Ukrainë, mori informata për një sulm të mundshëm
Ambasada amerikane në Kiev të Ukrainës ka marrë informata për një sulm të mundshëm të konsiderueshëm të mërkurën dhe do të jetë e mbyllur, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Çështjeve Konsullore Shtetërore të ShBA-së.
“Për shkak të kujdesit të madh, ambasada do të jetë e mbyllur dhe punëtorët e ambasadës po udhëzohen që të qëndrojnë të strehuar në vend” – thuhet në deklaratën e këtij departamenti, që u publikua në uebfaqen e ambasadës amerikane në Kiev, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ambasada e ShBA-së u rekomandon qytetarëve amerikanë që të jenë të përgatitur për t’u strehuar menjëherë në rast se njoftohet një alarm ajror” – thuhet më tej.
Paralajmërimi vjen një ditë pasi Ukraina përdori raketa amerikane të sistemit ATACMS për të sulmuar territor rus, duke e shfrytëzuar lejen e dhënë rishtazi nga presidenti amerikan në largim, në ditën e njëmijtë të luftës.