Mbyllet festivali “Mitrovica Guitar Days”
Festivali tradicional “Mitrovica Guitar Days” për disa netë rresht ka sjellë në qytetin e Mitrovicës kitaristë ndërkombëtarë dhe vendorë, koncerte dhe master klasa nga kitaristë të ndryshëm.
Ky festival është mbajtur në sallën e muzeut të qytetit, ku të pranishëm ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, zëvendësambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Alyson Grunder, drejtori i festivalit, Erhan Mujka, studentë, artistë dhe shumë artdashës.
Në fjalën e saj drejtoresha, Valdete Idrizi, ka theksuar se si komunë ndihen të lumtur që kanë përkrahur festivalin “Mitrovica Guitar Days”, dhe që janë partnerë në këtë festival tradicional.
“Jemi ndër komunat e rralla, mos të them e vetme që prioritetin e dytë krahas me arsimin, e kemi kulturën, sepse besojmë se një qytet zhvillohet duke e zhvilluar kulturën e sidomos një qytet me traditë të kulturës si në muzikë klasike, rok jazz dhe në të gjitha fushat e tjera. Artistët padyshim janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë e ne si Mitrovicë kemi shumë”, ka thënë drejtoresha Idrizi.
Festivali i cili ishte i hapur me datat 6-12 tetor ka filluar me performancën e mrekullueshme të kitaristit me renome botërore, Aniello Desiderio i cili për publikun ofroi një program të pasur artistik, ndërsa gjatë netëve tjera kanë përformuar edhe kitaristë tjerë të mirënjohur.