Mbyllet një shkollë fillore në Vjenë që ditën e parë të rihapjes
Për shkak të një rasti me koronavirus të dyshuar, një shkollë fillore në Vjenë u desh të mbyllej që në ditën e parë të rihapjes. Një mësuese kishte shfaqurr “temperaturë të lartë” pasi kishte marrë pjesë në një konferencë dhe të shtunën kishte qënë sëmurë.
Të hënën, në orën 7.30 të mëngjesit, “situata u përmbys” – tha Sonja Wegleitner, zëdhënëse e shkollave private të Arqipeshkvisë së Vjenës.
“Shkolla fillore private katolike në Antonigasse (Währing) duhej të ishte në ditën e parë të shkollës pas heqjes së kufizimeve prej koronavirusit. Mirëpo shkolla i mbylli portat sërish për shkak të një rasti të dyshuar me koronavirus.
Ky rast i dyshuar supozohet të jetë mësuese, e cila kishte marrë pjesë në një konferencë të mësuesve të premten dhe kishte marrë pushim si e sëmurë të shtunën.
Zëdhënësja e shkollës private Sonja Wegleitner nuk mund ta konfirmonte këtë, por shpjegoi se personi në fjalë shfaqte simptoma të tilla si “temperaturë të lartë”. Autoritetet janë të informuar dhe priten përgjigjet e testit pasdite.
Një grua vjeneze e kishte kritikuar publikisht menaxhimin e shkollës që të hënën në mëngjes: “Dy muaj kohë dhe ja, jemi para shkollës fillore dhe do të ikim në shtëpi për shkak të një rasti të dyshuar”, shkruajti këshilltarja Christina Aumayr në Twitter. Sipas informacionit , 200 fëmijë u kthyen mbrapsht përpara ndërtesës dhe prindërit u informuan shumë vonë për mbylljen.
Situata paraqitet disi më pak dramatike nga ana e fondacionit shkollor të Arqipeshkvisë së Vjenës: Të gjithë prindërit e prekur nga mbyllja ishin informuar me nxitim të hënën në mëngjes përmes faqes mësimore në internet “Schoolfox”. Thirrjet personale për qindra familje nuk ishin të mundshme për shkak të mungesës së kohës. Kjo do të thoshte që me sa duket jo të gjithë e kishin marrë paralajmërimin në kohë.