Mbyllet për vizitorë Galeria e Arteve të Kosovës për shkak të Covid-19
Hapësirat e Galerisë së Arteve të Kosovës, do të jenë të mbyllura. Kjo pasi që dy punëtorë të stafit të këtij institucioni kanë rezultuar pozitivë me Covid-19.
Galeria e Arteve të Kosovës ka njoftuar se pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, do të shtyhet hapja e ekspozitës “Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit”.
“Meqë në stafin e GKK I kemi tanimë dy raste aktive me Covid-19, sipas rekomandimit të IKSHPK-së, hapësirat tona qëndrojnë mbyllur për stafin administrativ dhe teknik si dhe për vizitorë derisa të përfundojë periudha e izolimit preventiv, në fund të kësaj jave. Për këtë arsye, hapja e ekspozitës ‘Bienalja Ndërkombëtare e Vizatimit’ nga AAVK shtyhet edhe për një javë dhe hapet për vizitorë te enjten e ardhshme, 25 qershor”, thuhet në njoftim e Galerisë së Arteve të Kosovës.
Sipas shifrave të fundit, në Kosovë janë regjistruar 1,486 raste me Covid-19. Prej tyre, 953 persona janë shëruar dhe 33 pacientë kanë vdekur.
(Q.R / Epoka e re)