Mbyllet pjesërisht Qeveria amerikane
Qeveria e Shteteve të Bashkuara zyrtarisht është mbyllur pjesërisht pasi Kongresi ka shtyrë miratimin e buxhetit.
Mbyllja e pothuajse 25 për qind të Qeverisë do të thotë se disa prej agjencive kryesore kanë pezulluar operacionet e tyre prej 22 dhjetorit.
Mbyllja e Qeverisë erdhi pasi senatorët republikanë dhe demokratë dështuan që të arrijnë një marrëveshje mbi shpenzimet.
Presidenti amerikan, Donald Trump është zotuar se nuk do të nënshkruajë asnjë ligj për buxhetin, i cili nuk përfshinë 5 miliardë dollarë për ndërtimin e murit në kufirin ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës.
Demokratët kundërshtojnë fuqishëm ndërtimin e murit dhe kanë thënë se do të votonin buxhetin, nëse në të nuk përfshihen fondet për ndërtimin e murit.
Zyrtarët vlerësojnë se 800 mijë punonjës federalë ose do të përjashtohen përkohësisht nga puna ose do të detyrohen që të punojnë pa u paguar menjëherë.
Mbyllja e Qeverisë do të prekë stafin e NASA-s, Departamentit të Tregtisë, Departamentit të Shtetit, Departamentit për Siguri Kombëtare, Drejtësisë dhe Bujqësisë.
Parqet nacionale pritet të mbesin të hapura, por shumica e punonjësve në këto parqe nuk do të punojnë.
Senati më herët gjatë javës në mënyrë unanime miratoi Projektligjin për shpenzimet pa përfshirë fondet për ndërtimin e murit në kufi dhe e dërgoi këtë projektligj në Dhomën e Përfaqësuesve. Por, Dhoma e Përfaqësuesve përfshiu në të edhe paratë për ndërtimin e murit dhe e ridërgoi në Senat, ku nuk kishte vota të mjaftueshme për t’u miratuar.
Si Senati, ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve pritet që në mesditën e 22 dhjetorit të mbajnë seancë, ku do të tentojnë të arrijnë marrëveshje.
Më 21 dhjetor, presidenti Trump ka shkruar në Twitter se ai shpreson që mbyllja e Qeverisë nuk do të zgjasë shumë.
“Shpresoj që mbyllja të mos zgjas shumë”, ka shkruar ai, duke insistuar se “kombi ynë duhet të ketë siguri në kufi”.