Mbyllet qendra e masazhit në Sojevë të Ferizajt
Inspektoratit i Ferizajt në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë mbyllur një qendër të sapohapur të masazhit në Sojevë të Ferizajt.
Komuna e Ferizajt ka njoftuar se kjo qendër ka pasur mungesë të dokumentacionit të nevojshëm siç është çmimorja, libreza sanitare, pëlqimi minimalo-teknik dhe kushtet higjieno-sanitare.
“Nga shkaqet e lartpërmendura dhe dyshimet për zhvillimin e dukurive amorale është mbyllur kjo qendër dhe ndaj saj ka nisur procedura hetimore e gjyqësore në zbardhjen e gjithë rrethanës së rastit. Inspektorati i Ferizajt është i pakompromis ndaj veprimtarive biznesore që zhvillojnë veprimtarinë e tyre, pa kushtet e dokumentacionin e nevojshëm që parasheh ligji, aq më tepër ndaj bizneseve ku hedhen dyshime për zhvillimin e dukurive devijante. Në Ferizaj aktualisht nuk funksionon asnjë biznes i kësaj natyre, kjo falë vigjilencës së inspektoratit të komunës, për të bërë verifikimet përkatëse të dokumentacioneve të nevojshme si dhe vendosmërisë për mbrojtjen e qytetarëve nga dukuritë negative”, ka njoftuar kjo komunë.
/Epoka e re/