Mbyllet restoranti në Gjermani, u zunë shtatë shqiptarë duke punuar ‘në të zezën’
Një restorant në Gjermani është mbyllur pasi në të janë zënë shtatë shqiptarë duke punuar në të zezën. Sipas doganave, pesë shqiptarë punonin ilegalisht në këtë lokal. Pronari ka punësuar edhe dy punëtorë të tjerë të cilët nuk ishin të regjistruar në sigurimet shoqërore, transmeton albinfo.ch.
Zyrtarët në Zyrën Kryesore Doganore në Krefeld kanë kontrolluar kompanitë e hotelierisë, ndërtimit dhe taksive në Krefeld, Nettetal dhe rrethin Viersen. Kontrollimi është bërë nën dyshimin për punë të padeklaruar dhe me këtë rast ata kanë gjetur shkelje të shumta, shkruan rp-online.de.
Si rezultat, një restorant është mbyllur zyrtarisht pasi janë gjetur shtatë persona me status të paligjshëm nga Shqipëria, të cilët nuk kishin as leje qëndrimi dhe as leje pune. Të gjithë ata i janë dorëzuar zyrës përgjegjëse të emigracionit për sqarime të mëtejshme.
Gjithsej pesë nga shtatë shqiptarët e paligjshëm ishin të punësuar në një lokal hotelier. Pronari i këtij lokali ka punësuar edhe dy punëtorë të tjerë të cilët ende nuk ishin të regjistruar për sigurimet shoqërore.
Ndaj pronarit kanë nisur hetimet për shkelje të regjistrimit dhe punësim të paligjshëm të të huajve. Meqenëse pronari nuk kishte më staf në dispozicion për sektorin e kuzhinës, restoranti duhej të mbyllej po atë mbrëmje.