Mbyllet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri Haradinaj
Është mbyllur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur nga kryeministri Haradinaj.
Me të filluar kjo seancë, partitë opozitare kanë deklaruar se Haradinaj nuk e ka pasur në kompetencë të thërras seancë ku do të votohen në lexim të dytë projektligjet.
Sipas tyre, vetëm komisionet e Kuvendit e kanë në mandate shqyrtimin dhe sjelljen për votim të projektligjeve në fjalë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se seanca e thirrur nga kryeministri nuk ka materie, raporton “lajmi.net”.
Ai ka kërkuar që të ketë një koordinim më të mirë të Qeverisë me Kuvendin.
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se e udhës do të ishte që të mbahej përsëri mbledhja e Kryesisë ku do të qartësohej e gjithë situata.
Në anën tjetër, deputetja e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kuvendi sot do të duhej të mbante seancë për takimet e presidentit Thaçi në Paris.