Mbyllet thirrja për subvencionim për izolim të shtëpive
Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka bërë me dije se është mbyllur aplikimi për thirrjen publike “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”.
Në njoftim e Fondit të Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё është thënë vetëm brenda 13 dite janë pranuar mbi 2000 aplikime, derisa thuhet se të njëjtat janë duke u shqyrtuar.
“Në vetëm 13 ditë, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka pranuar mbi 2000 aplikime të cilat përmbushin buxhetin e paraparë për projektin ‘Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Shtëpitë Individuale të Banimit’. Nga sot, aplikimi në platformën e-Kosova është mbyllur ndërsa FKEE është në proces të shqyrtimit te aplikimeve te pranuara”, është thënë në njoftim.
Gjithashtu, është bërë e ditur se FKEE së shpejti do të informojë qytetarët për thirrje të reja.
Projekti është mbështetur nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit IPA – Pako për Mbështetjen e Energjisë, i aranzhuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.